Bashkia e Tiranës me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë do të vere në shërbim të qytetareve të dielën e 21 shtatorit 5 autobusë falas.

Në nje deklarate për mediat të bërë sot nga Bashkia e Tiiranës, thuhet se "Pavarësisht dëshirës për t'i uruar mirëseardhjen në Tiranë Papa Françeskut, jo të gjithë e kanë këtë mundësi, për shkak të gjendjes ekonomike dhe sociale. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion 5 autobusë. Autobusët do të mundësojnë transportin falas të personave në pamundësi ekonomike apo të sëmurëve, drejt sheshit "Nënë Tereza", ku do të mbahet mesha e shenjtë, të dielën e 21 shtatorit".

"Për qytetin tonë është një ngjarje e shënuar dhe një privilegj i veçantë të mikpresë në këtë vizitë historike Papa Françeskun, thuhet në deklaratë. "Bashkia e Tiranës ka dhënë të gjithë kontributin dhe do të vazhdojë të jetë e angazhuar të kryejë rolin e saj në mbarëvajtjen e kësaj vizite dhe në mundësimin e përcjelljes së meshës së shenjtë nga sa më shumë qytetarë".

"Vizita e Papa Françeskut është një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, është një bekim për çdo shqiptar, përfundon deklarata e Bashkisë së Tiranës. /ATSH/