Kremlini ka reaguar për vizitën e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë, duke thënë se zyrtari i lartë amerikan nuk u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për agjencinë e lajmeve TASS se nuk ishte planifikuar takim mes Putin dhe Ratcliffe.

Për Washington Post, Peskov tha se vizita përfshinte “kontakte midis shërbimeve të sigurisë”, por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.

Kjo është vizita e parë e një drejtori të CIA-s në Moskë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Para Ratcliffe, drejtori i fundit i agjencisë që udhëtoi në kryeqytetin rus ishte William Burns, i cili në nëntor 2021 zhvilloi takime edhe me presidentin Vladimir Putin.