Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekoruar disa personalitete të njohur në qytetin e Korçës. Me anë të një postimi në Facebook, Meta ka ndarë momentet e dekorimit të disa personaliteve të njohura nga bota e sportit, arsimit dhe artit në qytetin e Korçës.

POSTIMI I METËS:

Në "Parisin e vogël", Korçën e serenatave, dashurisë, qytetarisë, arsimit dhe atdhedashurisë, pata nderin të vlerësoja sot disa nga legjendat e sportit korçar por edhe atij kombëtar, të cilët kanë shkruar historinë më të ndritur të klubit "Skënderbeu" në të gjitha disiplinat: futbollistin e shkëlqyer e të papërsëritshëm Teodor Vaso; golashënuesin e shquar Dhimitraq Xhambazi; portierin e "ajrit" Koço Dinella; trajnerin e papërtuar të atleteve shqiptare, Piro Kasati; kampionen e dimensioneve europiane dhe "mbretëreshën" e atletikës Pavlina Evro; simbolin e volejbollit shqiptar Tamara Nikolla dhe basketbollisten e jashtëzakonshme Zamira Koleci.
Shembulli i tyre është frymëzues për fëmijët e të rinjtë për të arritur rezultate të larta dhe për të qenë të suksesshëm, jo vetëm në sport, por edhe në jetë.