TIRANE- Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” Prof. Dr.Lisen Bashkurti-diplomat analizon vizitën e Venizellos në Shqipëri.
Në përgjithësi si mund ta vlerësoni vizitën e Zv.Kryeministrit e Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Venizellos në Tiranë?
Qeveria Shqiptare u deklarua qysh në parashtrimin e programit të saj në Kuvend se është për “zero probleme me fqinjët”. Pavarësisht metaforikës që bart kjo shprehje krahasimisht me realitetet Ballkanike, sërish, në terma diplomatikë ajo mund të konsiderohet si shprehje e vullnetit të mirë të Qeverisë Shqiptare për të zgjidhur çdo problem me fqinjët në rrugë demokratike, me mjete politike e diplomatike, në mënyrë të arsyeshme, të drejtë, në dobi të paqes e stabilitetit Rajonal dhe të Evropianizmit të Ballkanit. Pala shqiptare e demonstroi tërësisht këtë vullnet gjatë takimeve me shefin e diplomacisë së Athinës, Venizellosin. Mirëpo, përkundruall këtij qëndrimi e vullneti të mirë shqiptar, pinjolli i venizellizmit erdhi ne Shqipëri si përfaqësuesi i shtetit më të falimentuar të BE e u përpoq të sillej sikur të ishte lideri i Evropës.
Çështja e ligjit të luftës me Shqipërinë u vendos ne tryezën e bisedimeve mes palëve. Si e konsideroni dialogun ...?
Ligji i Luftës me Shqipërinë është një prej absurditeteve më të mëdha që kam lexuar prej 4 dekadash në historinë e marrëdhënieve e të drejtës ndërkombëtare. Politika dhe opinioni publik shqiptar e ngre këtë çështje për të gjetur rrugëzgjidhje. Por, prej vitesh ndeshet me qëndrime, interpretime e sjellje nga më kontraverset në politikën, institucionet e personalitetet e ndryshme greke. Edhe Venizellosi u përfshi në këtë qark të mbyllur kontarversal. Ai u deklarua se ligji iu luftës është shfuqizuar me një vendim të Këshillit të Ministrave më 1987. Pinjolli i venizellizmit u deklarua se me vendime Qeverie paska rrëzuar ligjet e Kuvendit, duke treguar se është i vetmi vënd "demokratik" ku vendimet e ekzekutivit abrogokan ligjet e Parlamentit, që asokohe kanë qënë atribut i dekreteve të Mbretit të Greqisë.
Këtë herë, Qeveria Shqiptare e vendosi çështjen çame tërësisht në tryezën e saj ose, siç e quajti shefi i diplomacisë shqiptare, Bushati, në “dosjen diplomatike”. Komenti juaj?
Shqipëria ka hedhur dy hapa përpara me rëndësi për çështjen Çame. Së pari, ka tani një rezolutë të miratuar nga Kuvendi. Së dyti, Qeveria Shqiptare, bazuar edhe në mandatin politik të rezolutës së Kuvendit, e ka bërë pjesë të agjendës së bisedimeve bilaterale Shqipëri-Greqi. Këto hapa janë për t’u përshëndetur e për t’u mbështetur fuqishëm. Mirëpo për Çamërinë, Venizellosi u duk se ka ardhur me qëndrim personal dhe jo zyrtar. Ai u deklarua në vetën e parë: “Unë nuk e njoh këtë çështje”.
Ndërkohë që pinjolli i venizellizmit nga njëra anë u kujdes për eshtrat e të vdekurve të Greqisë, duke propozuar komisione për kockat e tyre, nga ana tjetër, u deklarua se a’njihte të gjallët e Çamërisë, duke injoruar tërësisht të drejtat e pamohueshme të qindra mijra çamëve në Shqipëri, Greqi e kudo në botë. Në fakt, personalisht e prisja një qëndrim të tillë, duke e ditur se parardhësit e tij, Venizellosi plaku i Luftës së Parë Botërore nisi kalvarin e dhunës mbi Çamërinë dhe zhvendojet e forcërisht të popullsisë shqiptare çame drejt Anadollit, pasuesit e tij midis dy luftrave botërore nxitën pastrimet etnike e gjatë Luftës së Dytë Botërore mbështetën genocidin mbi popullsinë civile çame. Pra, asgjë s’ka ndryshuar as në politikën Greke dhe as në klanin e venizellozve lidhur me Çamërinë.
Çështja aq e përfolur e deteve u rishqyrtua si pjesë e dialogut dypalësh. Ju jeni marrë prej kohësh me debatin për delimitimin e kufirit detar me Greqinë. Mendimi juaj për këto diskutime..?
Asgjë të re. Ministri ynë, Bushati, qartësisht u deklarua që Qeveria nuk vë në dyshim qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rrëzuar si antikushtetuese marrëveshjen e firmosur nga ish Ministri Jashtëm Shqiptar, Lulzim Basha e Ministrja e Jashtme Greke, Bakojanis. Z.Bushati u shpreh i gatshëm për zgjidhjen e këtij problemi bazuar edhe në parimet e të drejtës së deteve, edhe në të drejtën e brëndshme.
Ndërsa z.Venizellos u përpoq t’i tregonte shqiptareve respektin për parimet ndërkombetare për të drejtën e deteve e harroi se, përkundër Turqisë, është kokë e këmbë kundër këtyre parimeve. Mendoj se pinjolli i venizellizmit tregoi, në fund të fundit, se ora i ka mbetur shumë prapa, ndërsa djaloshi shkodran i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, tregoi kulturë, etike, respekt e mikpritje. E uroj Ditmirin dhe e ngushëlloj Venizellosin!
Çamët
“Shqipëria ka hedhur dy hapa përpara me rëndësi për çështjen Çame. Së pari, ka tani një rezolutë të miratuar nga Kuvendi. Së dyti, Qeveria Shqiptare, bazuar edhe në mandatin politik të rezolutës së Kuvendit, e ka bërë pjesë të agjendës së bisedimeve bilaterale Shqipëri-Greqi”.
Shkrimi u publikua sot (15.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

Shqipëria i kërkon Greqisë heqjen e ligjit të luftës










