Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ndarë pamje nga vizita e zhvilluar këtë të hënë në Zvërnec me një delegacion të Parlamentit Europian, ku, sipas tij, eurodeputetët u njohën nga afër me projektin që parashikohet të zhvillohet në zonë.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla shkruan se përfaqësues të qeverisë dhe agjencive përgjegjëse informuan delegacionin se angazhimet mjedisore për zhvillimin e turizmit në këtë zonë synojnë të përmbushin ose të tejkalojnë kërkesat e Bashkimit Europian.
Sipas Ballës, projekti synon të shërbejë si shembull i mënyrës se si investimet e mëdha ndërkombëtare në Shqipëri mund të realizohen në përputhje me standardet europiane, duke ndërthurur investimin e përgjegjshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e vlerës së qëndrueshme për komunitetin dhe ekonominë vendase.
Ai shton se projekti po hartohet mbi parimin se vija bregdetare dhe ekosistemet natyrore përbëjnë pasuri që duhen mbrojtur, ndërsa një nga objektivat kryesorë është që vlera ekonomike e krijuar nga investimi të mbetet në Shqipëri, përmes punësimit vendas, zhvillimit të aftësive profesionale, përfshirjes së furnitorëve dhe bizneseve shqiptare, rritjes së turizmit dhe krijimit të aktivitetit ekonomik afatgjatë në rajonin e Vlorës.
Balla thekson gjithashtu se qasja e projektit bazuar tek peisazhi po zhvillohet me fokus te sipërfaqet e gjelbra, mbrojtja dhe përmirësimi i karakterit natyror të zonës. Sipas tij, planet e gjelbërimit dhe mbjelljeve do të hartohen në përputhje me procedurat përkatëse të vlerësimit mjedisor dhe të miratimit.
Lajmi kryesor:
Protestat në sheshin para kryeministrisë, eurodeputetët vizitojnë Zvërnecin (VIDEO)









