Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, gjatë mbledhjes së sotme ka sqaruar akuzat e bëra së fundmi për një përplasje me Prokurorinë e Posaçme në lidhje me vizitat monitoruese që po ndërmerren në disa institucione të drejtësisë.

Në Komision sot u informua se për të njohur situatën konkrete dhe për të dialoguar rreth rrugëzgjidhjeve, deputetët kishin kryer vizita në 4 institucione qendrore të ekzekutivit dhe në 16 gjykata e prokurori rrethesh ku ishin njohur me problemet e infrastrukturës dhe sigurisë në to.

“Gjatë takimeve, anëtarët e Komisionit janë njohur me një sërë çështjesh dhe problematikash që lidhen me infrastrukturën e godinave gjyqësore, masat e sigurisë fizike, organizimin e hapësirave të punës dhe nivelin e ngarkesës së çështjeve, elemente që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e përditshëm të institucioneve dhe në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve”, tha Xhafaj.

Vizitat monitoruese janë në kuadër të shqyrtimit të kërkesës së ardhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për sigurinë në gjykata dhe prokurori, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje e ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, një vit më parë.

Xhafaj deklaroi se vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare dhe nuk kanë karakter ndërhyrës.

“Normat dhe praktikat parlamentare nuk e shohin kurrsesi funksionin kushtetues të mbikëqyrjes parlamentare si monitorim të institucioneve të pavarura e sidomos ndaj veprimtarisë së tyre dhe nuk kanë aspak karakter ndërhyrës apo vlerësues mbi çështje konkrete të çdo natyre qofshin. Vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare edhe gjatë legjislaturës së kaluar, e parashikuar në rregulloren e Kuvendit si dhe bazuar në Manualin e Monitorimit Periodik dhe Vjetor, një dokument i hartuar me ekspertizë ndërkombëtare dhe miratuar me konsensus parlamentar në të cilin përcaktohen “vizitat dhe takimet monitoruese” si instrumente të rëndësishme të komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare”, u shpreh ai.

Procesi i shyrtimit parlamentar të kërkesës së KLGJ parashikon edhe një tryezë dialogimi ndërinstitucional dhe në përfundim të tij, Xhafaj tha se “synon të paraqesë dhe miratojë një rezolutë parlamentare, në të cilën do të parashikohen masa konkrete që duhen ndërmarrë nga Kuvendi dhe pushteti ekzekutiv si dhe rekomandime për institucionet e pushtetit gjyqësor”.

Xhafaj përmbylli duke thënë se çdo veprimtari e Komisionit po zhvillohet plotësisht brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, duke respektuar ndarjen dhe baraspeshën e pushteteve, pavarësinë institucionale dhe komunikimit etik dhe respektit.

Fjala e plotë:

Më lejoni të ndaj me ju në fund të kësaj mbledhje, për transparencë dhe informim të publikut, një qëndrim të Komisionit lidhur me disa nga iniciativat dhe vendimet që janë ndërmarrë nga ana jonë të dakortësuara në unanimitet nga të gjithë anëtarët e këtij Komisioni.

Ngjarja në gjykatën e Apelit të juridiksionit të përgjithshëm, ishte një ngjarje e rëndë e cila solli si pasojë marrjen e jetës së gjyqtarit të ndjerë Kalaja, një ngjarje me reflektime të gjithanshme e cila kërkon dhe vendos në përgjegjësi politikbërëse dhe institucionale një sërë institucionesh duke përfshirë edhe Kuvendin për të ndërmarrë një reagim të koordinuar institucional. Përtej reagimeve publike, nevoja sot është jo thjesht për të gjetur përgjegjësit, por për të parandaluar ngjarje të cilat cënojnë jetën e magjistratëve, të stafeve gjyqësore dhe prokuroriale si dhe jetën e qytetarëve në ambjentet e institucioneve të drejtësisë, të cilat përbëjnë një cënim të sigurisë së sistemit gjyqësor por edhe më tepër se kaq godasin besimin publik tek shteti ligjor.

Thënë këtë, më lejoni të informoj publikisht se siç rezultoj edhe nga seanca e sotme dëgjimore, KLGJ i është drejtuar Kuvendit dhe ka kërkuar ndërhyrjen urgjente ndërinstitucionale për garantimin e sigurisë në gjykata. Në shkresën e saj ka kërkuar konkretisht ndërhyrje urgjente për realizimin e disa masave që lidhen me cilësinë dhe rritjen në numër të personelit të sigurisë në gjykata, mbështetje buxhetore dhe përmirësim të infrastrukturës së sigurisë, rishikimi i kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon sigurinë në gjykata, përcaktimin qartë të kompetencave, institucioneve, aspekteve buxhetore, etj. Në këtë frymë është edhe Deklarata e gjyqtarëve që i është drejtuar Kuvendit me kërkesën për veprim dhe bashkërendim institucional.

Në përputhje me parashikimet ligjore të Rregullores së Kuvendit, Komisioni ka pranuar dhe shqyrtuar kërkesën e KLGJ-së dhe në mbledhjen e datës 19.01.2026 pas diskutimeve dhe sugjerimeve të deputetëve si të maxhorancës dhe të opozitës të këtij Komisioni, ka miratuar unanimisht zhvillimin e vizitave monitoruese në disa gjykata të parashikuara në dokumentin e miratuar po në këtë mbledhje “Plani i punës në kuadër të kërkesës së KLGJ-së për sigurinë në gjykata” ashtu si dhe ka miratuar relatorët përkatës.

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në vijim të ushtrimit të rolit të tij kushtetues dhe në zbatim të dokumentit parlamentar “Planin e punës në kuadër të kërkesës së KLGJ-së për sigurinë në gjykata”, gjatë dy javëve të fundit ka zhvilluar vizita pune në disa institucione drejtuese të sistemit të drejtësisë (KLGJ, KLP, Prokurori e Përgjithshme) dhe të ekzekutivit (MD) si dhe në 16 gjykata e prokurori të rretheve gjyqësore, me qëllim njohjen nga afër me kushtet konkrete të funksionimit dhe sfidat e evidentuara në këtë fushë me rëndësi për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë.

Gjatë takimeve, anëtarët e Komisionit janë njohur me një sërë çështjesh dhe problematikash që lidhen me infrastrukturën e godinave gjyqësore, masat e sigurisë fizike, organizimin e hapësirave të punës dhe nivelin e ngarkesës së çështjeve, elemente që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e përditshëm të institucioneve dhe në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

Përfaqësuesit e institucioneve kanë ndarë në mënyrë të hapur shqetësimet dhe vlerësimet e tyre, duke ofruar një pasqyrë të qartë të nevojave dhe prioriteteve për ndërhyrje, në funksion të garantimit të kushteve të përshtatshme dhe të sigurta për ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore e hetimore.

Këto vizita janë konceptuar dhe realizuar si pjesë e një qasjeje të strukturuar dialoguese dhe bashkëpunuese, por edhe si një përgjegjësi e përbashkët ndërinstitucionale për adresimin e problematikave të sigurisë së gjykatave dhe cilësisë së shërbimit të drejtësisë ndaj publikut, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës, konsolidimit të besimit publik dhe mbështetjes së përpjekjeve institucionale për përmbushjen e standardeve evropiane në fushën e sigurisë dhe administrimit të drejtësisë.

Komisioni shpreh vlerësimin e tij për bashkëpunimin institucional të treguar nga drejtuesit dhe stafet e institucioneve në të cilat u realizuan vizitat nga anëtarët e Komisionit. Ashtu si dhe vlerëson gadishmërinë e tyre për bashkëpunim dhe dialog të hapur institucional si element thelbësor për ndërtimin e një qasjeje të përbashkët ndaj sfidave të evidentuara dhe për hartimin e politikave dhe masave që i shërbejnë interesit publik dhe forcimit të shtetit të së drejtës.

Komisioni do të vijojë shqyrtimin parlamentar të kërkesës së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të informacionit të përcjellë nga institucionet përgjegjëse, në funksion të vlerësimit të nevojave dhe përcaktimit të formave më të përshtatshme të mbështetjes, përfshirë edhe përmes diskutimeve dhe seancave dëgjimore në Komision.

Në vijim të këtij procesi, pas zhvillimit të seancave dëgjimore në Komision me institucionet përgjegjëse, parashikohet organizimi i një tryeze të përbashkët dialogimi ndërinstitucional, me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë të sistemit të drejtësisë, ekzekutivit dhe Kuvendit, me qëllim thellimin e diskutimit dhe ndërtimin e një qasjeje të koordinuar për adresimin e çështjeve të sigurisë në gjykata.

Në përfundim, Komisioni synon të paraqesë dhe miratojë një rezolutë parlamentare, në të cilën do të parashikohen masa konkrete që duhen ndërmarrë nga Kuvendi dhe pushteti ekzekutiv si dhe rekomandime për institucionet e pushtetit gjyqësor.

Gjithashtu, bëj me dije për publikun se gjithashtu Komisioni ka vendosur unanimisht në mbledhjen e datës 11.12.2025 të trajtojë kërkesën e Agjencisë e Inteligjencës Financiare (AIF) të përcjellë për trajtim, lidhur me bashkërendimin e kontributeve të institucioneve të pavarura, kushtetuese për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian dhe rekomandimeve të FATF-së, në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të armëve të dëmtimit në masë.

Bazuar në parashikimet e Rregullores së Kuvendit për veprimtarinë e Komisioneve parlamentare, në këtë mbledhje është miratuar plani i punës për trajtimin e kërkesës së AIF për parandalimin e pastrimit të parave, duke parashikuar marrjen e informacionit nga institucionet përgjegjëse si dhe kryerjen e vizitave pranë këtyre institucioneve me qëllim njohjen më mirë të situatës konkrete, ecurinë e realizimi të detyrimeve institucionale, dialogun ndërinstitucional për arritjet dhe problematikat si parapërgatitje të seancës dëgjimore si dhe raportit e rezolutës që do të rrjedh prej saj.

Shqipëria është Republikë parlamentare. Kushtetuta i ka përcaktuar një rol të vecantë Kuvendit dhe deputetëve si përfaqësues të vullnetit të popullit. Kuvendi në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese të ligjvënies dhe kontrollit parlamentar, shërben edhe si hapësirë e dialogut institucional, ku ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet pushteteve dhe konsolidohet kultura e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Normat dhe praktikat parlamentare nuk e shohin kurrësesi funksionin kushtetues të mbikqyrjes parlamentare si monitorim të institucioneve të pavarura e sidomos ndaj veprimtarisë së tyre dhe nuk kanë aspak karakter ndërhyrës apo vlerësues mbi çështje konkrete të cdo natyre qofshin.

Vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare edhe gjatë legjislaturës së kaluar, e parashikuar në rregulloren e Kuvendit si dhe bazuar në Manualin e Monitorimit Periodik dhe Vjetor, një dokument i hartuar me ekspertizë ndërkombëtare dhe miratuar me konsensus parlamentar në të cilin përcaktohen “vizitat dhe takimet monitoruese” si instrumente të rëndësishme të komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare.

Ato janë shprehje e hapjes së pushtetit legjislativ dhe respektit ndaj institucioneve të pavarura si dhe të orientuara drejt dialogut, informimit dhe mbështetjes institucionale duke synuar të kontribuojë në mënyrë konstruktive në identifikimin e problematikave, shkëmbimin e informacionit dhe mbështetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme.

Komisioni thekson se çdo veprimtari e tij është duke u zhvilluar tërësisht brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, në frymë, parime dhe në gërmë, në respekt të plotë të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke respektuar në mënyrë rigoroze pavarësinë kushtetuese dhe funksionale të institucioneve të pavarura si dhe përmes frymës së komunikimit etik dhe respektit të ndërsjelltë institucional.

Komisioni i përhershëm parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale mbetet i angazhuar për të nxitur një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe konstruktiv ndërinstitucional, me bindjen se vetëm përmes dialogut dhe përgjegjësisë së përbashkët mund të forcohet funksionimi i shtetit të së drejtës dhe të garantojmë mbrojtjen e interesit publik, detyrimin ndaj qytetarëve të llogaridhënies dhe transparencës, rritjen e përgjegjshmërisë institucionale si dhe përmbushjen e detyrimeve tona si shtet në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin europian.

Duke falenderuar të gjithë drejtuesit e institucioneve të cilët me vizion dhe përgjegjshmëri i janë përgjigjur kërkesës për bashkëpunim ndërinstitucional si dhe anëtarët e Komisionit e veçanërisht relatorët, të cilët kanë kryer me shumë angazhim dhe përgjegjshmëri detyrën e tyre, konform kushtetutës e ligjit në përmbushje të interesit qytetar, më lejoni të mbyll këtë mbledhje për sot.

Faleminderit!