Deputeti socialist Fatmir Xhafaj me tone kritike adresoi disa prej problemeve me të cilat po përballet sot drejtësia, por njëherëzi duke vlerësuar reformën në drejtësi. Xhafaj tha se krijimi i SPAK dhe GJKKO i dha fund kulturës së pandëshkueshmërisë, duke theksuar se tashmë askush nuk është mbi ligjin.

Por, deputeti socialist vë theksin te nevoja për forcimin e statusit profesional të prokurorëve dhe garantimin e pavarësisë së tyre. Ai kërkoi që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për të mbrojtur integritetin e prokurorëve dhe për të frenuar çdo ndikim të brendshëm apo të jashtëm në punën e tyre.

Xhafaj ngriti shqetësimin për rrjedhjen e sekreteve hetimore në media, duke e quajtur këtë fenomen “të papranueshëm dhe të dëmshëm për integritetin e drejtësisë”. Sipas tij, prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i shërbejnë vetëm ligjit dhe interesit publik, jo karrierës personale apo protagonizmit mediatik. AI bëri thirrje që kjo çështje të adresohet menjëherë me mekanizma ekzistues, apo të ndërhyhet me propozime të reja ligjore.

Një tjetër çështje e rëndësishme që Xhafaj adresoi ishte masa e tepruar e arrestit me burg dhe zgjatja e afateve të paraburgimit, që sipas tij e vendosin Shqipërinë ndër vendet me raportet më të larta të paraburgosurve në Europë. Ai kërkoi një analizë të thelluar të praktikave aktuale dhe përafrimin e tyre me standardet e Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian.

Në fund, ish-ministri i Brendshëm theksoi se gjyqtarët nuk duhet të marrin rolin e prokurorëve, por të qëndrojnë si garantë të procesit të rregullt ligjor dhe të të drejtave themelore të qytetarëve. Ai bëri thirrje për një analizë gjithëpërfshirëse të sistemit penal.

Fjala e plote

I nderuar zoti kryetar i Kuvendit, të nderuar përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, të dashur qytetarë. Në seancën e sotme kemi mundësinë të dëgjojmë raportime tre e tre institucioneve, Prokurori i Përgjithshëm, SPAK-un dhe KLP-në, dhe të vlerësojmë punën e tyre. Janë tre institucione kyç të drejtësisë penale, të cilave reforma e re iu ka dhënë një status të ri kushtetues ligjor e institucional në arkitekturën e re të drejtësisë. Çdo shoqëri që aspiron standarde europiane dhe demokratike e mat pjekurinë e saj dhe nga mënyra se si trajton drejtësinë penale, institucionet dhe njerëzit që shërbejnë në të. Tek ky raport, te qasja politike ndaj tyre bëhet e dallueshme mënyra se si e shohim dhe se si i duam t'i kemi këto institucione dhe rolin e tyre. Çka në thelb është qasja që kemi për shtetin e së drejtës.

Personalisht, kam një respekt të veçantë për punën e prokurorëve tanë, të cilët në përditshmërinë e tyre përballen me një ngarkesë të madhe, kushte shpesh të vështira infrastrukturore dhe me presione të gjithanshme. Ata janë në vijën e parë të përballjes me krimin, me korrupsionin, me çdo shkelje të ligjit dhe me presionin. Ndaj, që në momentet e para të hartimit të reformës, kam mbështetur me forcë dhe vijoj të mbetemi këtij parimi për forcimin e statusit të tyre profesional, garancitë për pavarësi, karrierën dhe mbrojtjen e integritetit të tyre institucional. Në sistemin e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe asaj të posaçme, vihen re një sërë arritjesh pozitive gjatë kësaj periudhe raportuese. Prokuroria e posaçme në statistikat raportuese, por dhe në raportet e ndryshme ndërkombëtare, vlerësohet për kontributin e saj të veçantë në forcimin e sundimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit dhe në goditjen ndaj krimit të organizuar, duke shënuar një progres të qëndrueshëm në këto fusha. Sistemi i prokurorisë të juridiksionit të përgjithshëm ka qëndrueshmëri institucionale dhe një rritje të hetimeve proaktive në ndjekjen penale të veprave që prekin interesin publik. Disa shembuj pozitiv të raportuar nga prokuroritë e rretheve Tiranë, Vlorë, Fier, Korçë e të tjerë janë një hap i mirë që duhet përgjithësuar më tej. Evidentohet një bashkëpunim i rritur me autoritetet e huaja të drejtësisë, si EUOJUST e tjerë, dhe operacioneve të përbashkëta ndërkombëtare për goditjen e veprimtarisë kriminale. Konstatohet një angazhim pozitiv edhe në përmbushjen e rekomandimeve dhe kritereve në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë muajve të fundit, bota politike dhe sistemi i drejtësisë janë përballur me shembuj domethënës të sundimit të ligjit, që na ofrojnë leksione të qarta për shtetin e së drejtës. Sarkozi, ish-presidenti i Francës, për mbi pesë vjet u hetua dhe gjykua në gjendje të lirë për financim të paligjshëm të fushatës. Ish-kryeministri Fillon gjithashtu u dënua për punësime fiktive brenda stafit parlamentar, gjë që u konfirmua edhe nga gjykata e Strasburgut. Në Izrael, Kryeministri Netanjahu përballet prej vitesh në gjendje të lirë me një proces gjyqësor të vazhdueshëm për korrupsion. Prezenca e tij rregullisht para gjykatës ilustron rëndësinë e pavarësisë së institucioneve dhe respektimit të procedurave, pavarësisht fuqisë politike dhe situatës kritike në atë vend. Ajo që i bashkon të tre këto shembuj është mesazhi i qartë se askush nuk është mbi ligjin dhe se rëndësia e pavarësisë së institucioneve është absolute pavarësisht fuqisë politike. Nga ana tjetër, ato janë edhe dëshmi të integritetit dhe profesionalizmit, por dhe humanizmit dhe përgjegjshmërisë në hetimin dhe gjykimin penal. Reforma në drejtësi ka ndryshuar rrënjësisht filozofinë e drejtësisë penale shqiptare nga një sistem i centralizuar dhe hierarkik, prokuroria ka evoluar drejt një modeli modern të pavarësisë së brendshme dhe të jashtme të prokurorit në përputhje me standardet më të mira europiane. Krijimi i SPAK dhe GJKKO-së ka qenë një hap vendimtar, duke ndryshuar tërësisht kulturën e pandëshkueshmërisë dhe barazisë para ligjit. Fenomeni i pandëshkueshmërisë ka marrë një goditje të fortë, çka ka sjellë edhe një rritje të ndjeshme të besimit të qytetarëve në këto institucione. Sondazhet e këtyre viteve tregojnë qartë këtë gjë për cilindo që ishin çliruar nga paragjykimet politike. Kurrë në këto tridhjetë e pesë vjet s'ka pasur ndonjë institucion drejtësie me këtë mbështetje qytetare. Tjerat janë fjalë boshe. Pavarësisht sukseseve, do të ishte një gabim i pafalshëm. Nëse nuk do të shihni me kujdes problematikat dhe sfidat që e shoqërojnë këtë proces, siç rezulton edhe nga raportimet e vetë institucioneve, debati i zhvilluar në komisionet, nga një sërë opinionesh në debatin publik dhe sidomos nga gjetjet e raporteve të Bashkimit Europian për progresin dhe shtetin e së drejtës. E kuptueshme që janë në një masë të konsiderueshme problemet e rritjes, por edhe të menaxhimit dhe herë-herë-herë edhe të keqzbatimit të ligjit, siç mund të jenë me shumë të drejtë, siç u tha këtu ehe edhe nga prokurori i përgjithshëm, por dhe nga drejtues e tjerë të institucioneve gjatë raportimit në komision, edhe probleme që lidhen me mangësi ligjore. Me reformën në drejtësi, prokurori është zoti i çështjes që ndjek. Prokurori, ashtu si dhe gjyqtari, është i detyruar të jetë i pavarur në vendimarrjen e tij dhe të mos lejojë asnjë lloj ndikimi të brendshëm e të jashtëm, veç kontrollit që kushtetuta ia njeh gjyqësorit dhe inspektimit të ILD-së. Problemi te pavarësia nuk është ligji. Përkundrazi, por mentaliteti i prokurorëve dhe gjyqtarëve, vullneti i tyre ta mbajnë apo këmbejnë atë me favor për karrierë apo përfitime të ndryshme. Ky hap do të mbetet i mangut dhe mund të prodhojë efekte të kundërta, sikurse kemi parë në disa raste këto kohë. Nëse garancia kushtetuese për pavarësinë e prokurorëve, e parashikuar në kushtetutë, nuk do të shoqërohet edhe me një kërkesë shumë më të fortë lidhur me përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe përgjegjësinë në ushtrimin e detyrës. Ka nevojë që të ketë një rritje të numrit të kërkesave për inspektimet tematike në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Për vendosjen e standardeve të unifikuara në zbatimin e ligjit në hetim, zbatimin e udhëzimeve me karakter të përgjithshëm, respektimin e garancive procedurale në procesin penal, etj.

Sot vërehet një dukuri që ka ndezur shumë debat mbi raportin e magjistratëve me mediat. Ligji e parashikon qartë se si organet e prokurorisë komunikojnë me median për transparencë ndaj publikut, si një aspekt thelbësor, por përdorimi i medias për të nxjerrë pjesë të dosjes penale apo sekretit hetimor është i papranueshëm. Gjyqtari dhe prokurori duhet t'i shërbejë interesit publik përmes ligjit, jo protagonistit apo karrierës personale. Është momenti, ndoshta jemi edhe pak të vonuar, që institucionet drejtuese të sistemit dhe veçanërisht organet e qeverisjes dhe inspektorati duhet të ndërhyjnë përmes mekanizmave ligjorë ekzistues ose me propozime të reja ligjore.

Konstatohet një rritje e raportimeve për problematika shqetësuese lidhur me procesin e rregullt ligjor, barazinë e palëve në proces, prezumimin e pafajsisë, proporcionalitetin dhe humanizmin në vlerësimin e masave të sigurisë dhe masave të dënimit, deri dhe për një lloj sjellje joetike dhe aspak ligjore në trajtimin që u bëhet dëshmitarëve, personave në hetim, deri dhe vetë avokatëve të tyre mbrojtës. Preokupuese është edhe komunikimi me administratën dhe komunitetin e biznesit lidhur me trajtimin e tyre në çështje të caktuara nga disa oficerë të policisë gjyqësore apo edhe prokurorë të veçantë, çka ka krijuar një klimë tensioni dhe intimiduese në disa raste. Gjë që mund të krijojë efekte negative në klimën e biznesit dhe shërbimin e administratës publike ndaj qytetarëve, nëse nuk reflektohet në kohë. Sfida mbetet edhe për aplikimin më gjerësisht të disa instituteve të reja që janë parashikuar në legjislacionin procedurial penal dhe që nuk kanë gjetur ende në zbatimin e duhur. Si për shembull, dënimet alternative, urdhri penal i dënimit, gjykimit me marrëveshje, e tjera të cilat kanë nevojë të zbatohen më efektivisht për të lehtësuar ngarkesën në punë, për ekonominë gjyqësore, si dhe për të ulur numrin e të burgosurve në burgje. Jam dakord me kritikat që adresohen gjerësisht edhe në publik lidhur me masat e sigurimit personal, arrestin me burg. Kemi një situatë kritike kjo dhe sipas disa raporteve dhe studimeve ndërkombëtare. Në referim të një analize të fundit të Këshillit të Europës, rezulton se Shqipëria ka numrin më të lartë të masave arrest me burg, krahasimisht me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian dhe të rajonit. Ndërsa Belgjika ka 10 persona për 100 mijë banorë. Ne kemi 94.6 persona për 100 mijë banorë me masë arresti me burg. Një shifër kjo shumë e lartë. Shqipëria ka një nga raportet më të larta të të paraburgosurve në Europë, mbi 50%, krahasuar me vendet e rajonit si Bullgaria 5%, Maqedonia e Veriut dymbëdhjetë për qind, Rumania trembëdhjetë për qind, etj. Kohëzgjatja e paraburgimit në Shqipëri është shumë më e lartë se mesatarja e vendeve europiane, por dhe atyre të rajonit. Mesatarja e kohëzgjatjes së paraburgimit në Shqipëri është 253, 8.4 muaj muaj në paraburgimin e përgjithshëm dhe mbi 616 ditë për gjykata speciale në një kohë që në vendet europiane është jo më shumë se 3-12 muaj maksimumi për vepra penale me dënime mbi 10 vjet. Situata që kemi tejkalon standardet ndërkombëtare dhe tregon nevojën urgjente për monitorim dhe vlerësim të rregullt të nevojës, proporcionaliteti dhe arsyeshmërisë së masave, ndoshta edhe për ndryshime të nevojshme ligjore. Kjo kërkon adresim urgjent. Dhe ndryshim të mentalitetit institucional, por dhe shoqëror, dhe për këtë arsye ju është adresuar edhe në rezolutë të dy institucioneve të prokurorisë që të kryejnë një analizë mbi masat e sigurisë të marra në këto pesë vite, politikat e ndjekura, problematikat e konstatuara dhe masat e nevojshme për reflektim në praktikat e vendeve europiane në këtë fushë dhe standardet e rekomanduara nga Këshilli i Europës, Bashkimi Europian, Gjykata Europiane e Drejtave të e Njeriut, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë përfshijnë masat për ndërhyrje ligjore për ta sjellë këtë situatë në standardet normale europiane.

Sigurisht, këto problematika dhe sfida lidhen me prokurorinë dhe bie plotësisht dakord se ka vend për reflektime dhe ndryshime në këtë sistem, por bëjmë gabim kur e ngushtojmë gjykimin ndaj këtyre dukurive, vetëm te roli i prokurorit. Prokurori është thjesht pala akuzatore në proces dhe ai për përgjimet, ndalimet, masat e sigurisë, vlerësimin e provave dhe dënimin nuk mund të bëj asnjë hap më shumë sesa t'i paraqes ato për vlerësim shqyrtim e vendimmarrje në gjykatën penale, problemi është te gjyqtari, aftësia dhe integriteti i tij për të gjykuar dhe vendosur drejt me ndershmëri dhe humanizëm në respekt të ligjit. Është gjyqtari i gjykatës penale, institucioni që mishëron garantimin e procesit të rregullt ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Gjyqtarët nuk mund të ndryshojnë natyrën e akuzës. Nuk duhet të bëjnë rolin e prokurorit apo qoftë edhe në hotelin e tij, pasi ata janë garantë të ligjit dhe të barazisë së palëve në proces personalisht. Gjykoj se disa dukuri negative në fushën e drejtësisë penale lidhen para së gjithash me gjykatat, kryesisht me gjykatat e apelit dhe sidomos me kolegjin penal të gjykatës së lartë. Janë ata që kontrollojnë ligjshmërinë e hetimit dhe gjykimit, të njësojnë dhe unifikojnë praktikën gjyqësore dhe t'i japin drejtim të qëndrueshëm jurisprudencës. Ndaj këtu do duhet të fokusohemi shumë më fort, magjistratët janë përpara një sprove të madhe, sprovës së qëndrueshmërisë morale, integritetit, modestia dhe besnikëria ndaj ligjit do t'i bëjë ata edhe më të fortë, por dhe më të besueshëm e më efikas në misionin e tyre, ata do duhet t'i kenë sytë dhe veshët të mbyllura ndaj çdo miklimi dhe ndikimi të padrejtë, por dhe influencimi prej sirenave politike dhe mediatike për t'i influencuar në hetimet dhe gjykimet e tyre. Nuk mund të bësh drejtësi nëse preokupohesh se si të mbash balancat midis palëve. Apo se si të balancosh emocionet publike dhe trysninë e komenteve mediatike. Për prokurorin dhe gjyqtarin besnik të kushtetutës e të ligjit ka vetëm një masë, mbështetja në gërmën e ligjit në fuqi dhe në prova të forta dhe të besueshme.

Para disa kohësh kam lexuar një fjalim të jashtëzakonshëm. Të mbajtur shumë vite më parë nga një ish-prokuror i përgjithshëm i Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një konferencë kombëtare të prokurorëve, në të cilën ai ndër të tjera theksonte se të aseti më i rëndësishëm i një prokurori nuk është pushteti apo zelli i tij, por ndjenja e përmasës dhe e maturisë, vetëdija se interesi i shoqërisë në ndjekjen penale nuk është të fitojë çështjen. Por që të bëhet drejtësi për këtë arsye, ai duhet të kërkojë të vërtetën dhe të jetë shërbëtor vetëm i ligjit dhe i asnjë fraksioni apo interesi individual. Fjalë thellësisht të mënçura që mbeten koherente dhe me shumë vlerë edhe në ditët e sotme. Të nderuar kolegë, një analizë gjithëpërfshirëse është domosdoshmëri për konsolidimin e reformës në drejtësi.

Sot është momenti për një analizë të tillë të sistemit penal me të gjithë aktorët përkatës që të reflektojnë realitetin e ri të punës së prokurorive dhe gjykata në këtë fushë, të evidentojë problematika dhe sfidat, si dhe të orientoj ndërhyrjet e nevojshme ligjore, institucionale dhe strukturore në përputhje me kushtetutën dhe standardet e Bashkimit Europian.