Vjedhja e rreth 713 milion lekëve nga Banka e Shqipërisë, e vënë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, po shton zërat brenda maxhorancës së majtë për nevojën e një reagimi më energjik ndaj kësaj ngjarje të rëndë, përfshirë këtu dhe hetimin nga ana e parlamentit.

Përveç zërave nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që kërkojnë dorëheqjen e Guvernatorit Ardian Fullani, shtypi i sotëm shkruan mbi mundësinë e ngritjes së një komisioni parlamentar, që do të hetojë skandalin që ka përfshirë Bankën Qendrore. Me fillimin e sesionit të ri kuvendor në muajin shtator maxhoranca mund të konkretizojë një nismë të tillë, e cila, sipas të gjitha gjasave pritet të kundërshtohet nga Partia Demokratike e opozitës.
Ndërsa Prokuroria vijon intensivisht hetimet, janë shtuar reagimet nga radhët e politikës për këtë ngjarje, e denoncuar tre javë më parë nga autoritetet e Bankës, dhe që fillimisht u la në heshtje.

Kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, vijon komentet e tij në rrjetet sociale, duke shkruar së fundi për nevojën e rishikimit të ligjit për Bankën e Shqipërisë. Kjo, sipas tij, do ta çlironte Bankën e Shqipërisë nga interesat partiake, politike, interesat e korrupsionit dhe të nepotizmit, për ta pavarësuar realisht, dhe rikthyer fuqinë e eficensën në krye të sistemit financiar shqiptar, transparencën, garantuar kontrollin e brendshëm e të jashtëm, përgjegjshmërinë për t'u ndarë e ndëshkuar ashpër çdo rast të ngjashëm.

Po ashtu, Braçe këmbëngul në largimin e guvernatorit Fullani nga drejtimi i Bankës, duke ripërsëritur përgjegjësinë e tij ligjore për këtë skandal financiar. Deputeti socialist, me tone të ashpra, konstaton se Banka është kapur nga e keqja dhe se largimi i guvernatorit dhe Këshillit Mbikqyrës vetëm sa e çlirojnë bankën. Dhe kjo sipas tij, duhet bërë me rishikimin e ligjit.
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela reagon për ngjarjen përmes një postimi në Facebook. Ai mendon se "ligji e ka ndihmuar dhe ai duhet ndryshuar urgjentisht". Sipas Ngjelës, ligji ka mangësi në lidhje me administrimin e brendshëm të Bankës.

Ndërkohë, opozita nga ana e saj, përmes kreut të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, është shprehur se PD nuk do të mbështesë asnjë nismë ligjore të maxhorancës, qoftë kjo dhe ngritja e një komisioni hetimor.
Prej ditësh veprimtarë të shoqërisë civile vijojnë mbledhjen e firmave në mbështetje të një peticioni që kërkon largimin e Ardian Fullanit nga detyra.
Prokuroria ndërkohë po vazhdon hetimet, ku dita-ditës dalin fakte të reja që dëshmojnë mungesën e funksionimit të një sërë hallkash brenda vetë Bankës, duke krijuar mundësinë e një vjedhje gjigande që vazhdonte prej katër vjetësh. Deri tani janë arrestuar 10 persona, punonjës të Bankës, përfshirë dhe Drejtorin e Emisionit./ATSH/