Sipas policisë, gjatë ditës së sotme është ushtruar kontrolle në 283 raste. Pas kontrolleve të ushtruara janë arrestuar në flagrancë 49 persona, kryesisht pronarë të subjekteve të biznesit, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, ndërsa janë shpallur në kërkim 7 persona.
Në pranga kanë rënë edhe 3 punonjës të OSHEE, mes të cilëve 1 në Tiranë dhe 2 në Fier, të akuzuar shpërdorim detyre. Konkretisht është arrestuar nga Drejtoria e Policisë Tiranë një faturist dhe nga Drejtoria e Policisë Fier janë arrestuar 1 inxhinier dhe 1 elektricist.
Lidhur me aksionin, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka thirrur në një mbledhje urgjente 12 drejtorët e policisë në qarqe dhe 12 drejtorët e OSHEE-së, për të koordinuar aksionin kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Në takim ka qenë i pranishëm edhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.
Ndërkohë në një dalje për mediat, drejtori i policisë së Tiranës, Ardian Çipa tha se materialet e personave të arrestuar janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Nga ana e tij, Administratori i OSHEE-së Arben Seferi, theksoi faktin se operacioni është përqëndruar kryesisht në bizneset në rang vendi, dhe jo tek abonentët familjarë, ndërsa shtoi se ky aksion do të vijojë deri në ndërprerjen e fundit të lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike.
Më poshtë lista e plotë e arrestimeve në të gjitha Qarqet:
Tiranë - janë arrestuar në flagrancë 21 pronarë të bizneseve të ndryshme, të cilët janë konstatuar që kryenin vjedhje të energjisë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë pronar të subjekteve të biznesit.
Fier - janë arrestuar 5 persona, pronarë të subjekteve të biznesit
Lezhë - janë arrestuar 6 persona
Durrës - është arrestuar 1 person
Kukës - është arrestuar 1 person
Berat - është arrestuar 1 person
Korçë - është arrestuar 1 person
Elbasan - janë arrestuar 2 persona
Shkodër - janë arrestuar 3 persona
Dibër - është arrestuar 1 person
Vlorë - janë arrestuar 5 persona
Gjirokastër - janë arrestuar 2 persona
Gjiknuri në terren: Masa ndaj të gjithë vjedhësve të energjisë
Në ditën e parë të aksionit për vjedhësit e energjisë, Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri ka zbritur vetë në terren. Ai së bashku me një grup të OSHEE ka ndjekur nga afër aksionin në autostradën Tiranë-Durrës, ku sipas raportit të kompanisë së shpërndarjes në këto zona sasia e energjisë që vidhet nga bizneset është e madhe.
Ministri i Energjitikës Gjiknuri ka deklaruar se do të merren masa për të gjithë ata që kanë abuzuar me lidhjet e jashtligjshme të energjisë elektrike. Ministri i Energjitikës paralajmëroi se asnjë abuzues nuk do të tolerohet dhe do të përballet me ligjin.
Prononcimi i Ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri
“Njëkohësisht, jemi duke vepruar në pika të ndryshme të Tiranës. Ky operacion do të shtrihet në shkallë të gjerë në të gjithë Shqipërinë dhe ditë për ditë ju do të shikoni që do të kemi raste konkrete të ndëshkimeve të personave abuzues. Besoj, në fund të ditës do të keni dhe numrin e personave të ndaluar për ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e energjisë elektrike. Edhe me ndryshimet që kemi bërë në Kodin Penal, synimi ynë primar ka qenë ai grup që e vjedh energjinë elektrike për qëllime fitimi. Patjetër, abuzimi është i shtrirë në shumë drejtime, ka edhe abonentë familjarë të cilët abuzojnë, por e kemi filluar nga bizneset, do të vazhdojmë edhe me qytetarët e tjerë. Kjo është betejë shumë e nevojshme, kërkojmë përkrahjen e qytetarëve të ndershëm, kërkojmë bashkëpunimin e tyre për të denoncuar çdo rast të vjedhësve të energjisë elektrike, qoftë në pallatet e tyre, qoftë në fshatrat e tyre, qoftë në biznese. Ky është mesazhi që ka vendosur të japë qeveria dhe ky aksion do të vazhdojë përditë dhe do të shikoni që do të ketë rezultate shumë konkrete.”, deklaroi ministri Gjiknuri gjatë këtij aksioni.