Vjedhja e të dhënave përmes Whatsapp, rezultojnë hacker-a rus! Shënjestra kryesore, mediat, prej dy vitesh tentojnë të ndërhyjnë në redaksi

Detaje të reja vijnë nga sulmet kibernetike të ndodhura ditët e fundit në vendin tonë përmes platformës së Whatsapp në telefonin e qytetarëve. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se nga hetimet e kryera nga departamenti i krimit kibernetik në polici kanë arritur në përfundimin se janë 'hacker-a' rus. Mesazhi i dërguar në gjuhën shqipe, mësohet se është përshtatur më anë të google translate.

Ata kanë mundësi të futen vetëm në programin Whatsapp dhe të marrin të dhëna të ndryshme nga kjo platformë. Ky fenomen ka prekur shumë qytetarë në vendin tonë, persona publik ku ka pasur shumë denoncime nga ana e tyre. Por duket se shënjestra e tyre e preferuar janë redaksitë e mediave.

Brenda dy ditësh është raportuar një numër i lartë i punonjësve të medias të cilët kanë rënë pre e këtij sulmi. Gjithashtu rezulton se këta 'hacker-a' kanë më shumë se dy vite që tentojnë të ndërhyjnë në në redaksitë e mediave shqiptare. 

Burime për Report Tv bëjnë me dije se në sektorin e Krimit Kibernetik njësia C, ka mungesë të stafit për t'i bërë ballë fluksit të këtyre ndërhyrjeve. Ata kanë nisur kontaktet me selinë e kompanisë Whatsapp në mënyrë që edhe ata të ndihmojnë në konstatimin dhe mbrojtjen e përdoruesve nga ky sulm kibernetik. Ditën e djeshme në shumë media janë raportuar raste të ndryshme të këtyre sulmeve.

Si funksionon skema e piraterisë? 

Një sms vjen në kutinë tuaj të mesazheve të celularit, i cili sjell një kod me gjashtë shifra të ndryshme, që kryesisht shërben për të verifikuar llogarinë e aplikacionit. (Mesazhi më poshte)

1: Codigo do WhatsApp: 189-732

Ou toque neste link para verificar seu numero: V.whatsapp.com/189732

Nao compartilhe este codigo’

Pak sekonda më vonë në aplikacionin Whatsapp vjen një mesazh i dytë, kësaj here në gjuhën shqipe. Është kryesisht një mesazh automatik që vjen nga numra celulari shqiptar, të cilët fatkeqësisht kanë rënë pre e hakimit.

Përmes këtij mesazhi i kërkohet përdoruesit që kodin me gjashtë shifra të mbërritur në kutinë e mesazheve t’ia kalojnë me pretendimin se është ngatërruar numri. Përdoruesit, duke mos menduar më të keqen, e dërgojnë këtë kod gjashtë shifror dhe brenda pak minutash humbasin aksesin e numrit të tyre në llogarinë Ëhatsapp. (Mesazhi me poshte)

2: Përshëndetje, më falni, ju kam dërguar një kod 6 shifror me SMS gabimisht, mund të ma dërgoni ju lutem? Eshte urgjente??’

Në 24 orët e fundit, kjo mënyrë hakimi është shpërndarë gjithandej kryesisht në Tiranë, çfarë ka shqetësuar jo pak përdoruesit. Prandaj, nëse edhe ju keni fatin e keq të bëheni pre e një mesazhi të tillë, më e mira e mundshme është injorimi pa asnjë përgjigje, duke refuzuar dërgimin e kodit gjashtë shifror.

1612684297_meesazhi.jpg

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:06
Rusët po na vjedhin të dhënat në WhatsApp, reagon urgjent policia: Situatë serioze, respektoni rigozorisht këto rregulla

Policia e Shtetit ka reaguar pas ndërhyrjes në të dhëna kompjuterike dhe më saktësisht me marrjen e të drejtave të hyrjes në aplikacionin “WhatsApp” nga persona të paautorizuar.

Policia njofton se situata është shumë serioze, ndërkohë që u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin disa hapa të caktuara për të shmangur vjedhjen e të dhënave.

"Deklaratë për shtyp në lidhje me sulmet kibernetike në të dhënat personale - Suela Bonjaku, specialiste në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në vazhdimësi të punës së saj të përditshme,  prej disa kohësh ka evidentuar problematika që kanë të bëjnë me rrjetet e komunikimit.

Për të sqaruar më mirë opinionin publik, bëhet fjalë për një situatë serioze, e cila ka të bëjë me “Ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike” dhe më saktësisht me marrjen e të drejtave të hyrjes në aplikacionin “WhatsApp” nga persona të paautorizuar.

Aplikacioni “WhatsApp” aktivizohet në pajisjet e zgjuara nëpërmjet një procedure e cila është e përcaktuar nga kompania dhe për të bërë lidhjen e aplikacionit me numrin e telefonit të përdoruesit ose krijimin e llogarisë, kompania “WhatsApp” dërgon një kod gjashtëshifror në numrin tuaj të telefonit. Më pas, me anë të këtij numri, llogaria juaj aktivizohet.

Përdorues të panjohur, deri më tani kanë krijuar një skemë për marrjen e llogarive të aplikacionit “WhatsApp” duke regjistruar në një pajisje numrin e telefonit celular të viktimës sikur të ishte numri i tyre dhe më pas i dërgojnë viktimës në “WhatsApp” kërkesën për t’ia ridërguar kodin gjashtëshifror, me arsyetimin që është dërguar gabim.

Theksojmë se kjo kërkesë në “WhatsApp” vjen nga një person i cili ka njohje të mëparshme me viktimën dhe që ka qenë dhe ai/ajo viktimë e këtij sulmi, pra autori nis mesazh nga llogaria e një viktime tjetër.  

Nëse personat që janë bërë shënjestër nga autori nuk reagojnë apo nuk dërgojnë numrin gjashtëshifror, autori do të vazhdojë të këmbënguli, por nuk mund të realizojë asnjë veprim tjetër dhe as atë veprim për të cilin ishte nisur të kryente, pra marrjen e llogarisë “WhatsApp”.

Po ashtu sqarojmë opinionin publik se marrja e llogarisë “WhatsApp” nuk mund të bëhet pa ndërveprimin tuaj me autorin apo pa patur autori të drejta përdorimi në telefonin tuaj.

Personat/autorët që po kryejnë këto vepra kriminale aktualisht janë duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Aktualisht, sipas të dhënave që kjo njësi disponon, personat më të prekur janë nga grupet shoqërore që përdorin aplikacionin “WhatsApp” dhe nisur nga skema e përdorur kemi një sulm zinxhir tek kontaktet e gati të gjitha llogarive të viktimizuara.

Në vazhdimësi dhe të njoftimeve të mëparshme të Njësisë për Hetimin e Krimeve Kompjuterike për ruajtjen e të dhënave personale, iu bëjmë thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që të bëjnë kujdes përsa i përket kontaktimit nëpërmjet mesazheve si telefonike, po ashtu dhe të rrjeteve sociale, duke qenë se rrezikojnë në çdo rast për të dhënë akses në mënyrë të pavullnetshme në të dhënat e tyre personale. Të gjithë qytetarët duhet të respektojnë rigorozisht rregullat si më poshtë:

➢ Asnjëherë mos ndani kodin tuaj gjashtëshifror me një person tjetër;

➢ Vendosni mënyrën e verifikimit me 2 hapa;

➢ Mos ndani informacionin tuaj personal me asnjë person tjetër;

➢ Bëni kujdes nëse merrni telefonata nga biznese apo persona të panjohur;

➢ Bëni kujdes nëse një kontakt i juaji apo një person i panjohur ju kërkon kthimin e një mesazhi të gabuar apo kërkon me çdo mënyrë të kontaktojë me ju.

Duke patur parasysh që teknologjia përparon çdo ditë dhe mënyra të reja mund të rezultojnë në çdo moment, qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për çdo situatë për të cilën mund të dyshojnë.

Si përfundim sqarojmë opinionin publik se deri tani, Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit po vazhdon hetimet me rastet e evidentuara në bazë të kallëzimeve të marra nga qytetarët.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike i bën thirrje cilitdo që beson apo dyshon se ndodhet përpara një rasti të tillë, të njoftojnë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit:

Adresa e postës elektronike: ​​​​[email protected]

Numri i telefonit të lëvizshëm dhe rrjete komunikimi: ​0694155552. Faleminderit!"- njofton policia.

E.M./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve