Dje gjykata e Faktit në Lezhë, dënoi me pesë vite burg në total, shtatë komisionerët e qendrës së votimit të Komunës së Dajçit të këtij rrethi. Gjykata i gjeti ata fajtorë për falsifikim të procesit të votimit, sepse nga hetimet e bëra u konstatua se në votim kishin marrë pjesë edhe persona që ndodheshin në emigracion dhe prej kohësh nuk janë kthyer në fshat. Denoncimin ndaj tyre e bëri kandidati i Aleancës për të Ardhmen, (opozitës) Rrok Rroku, i cili humbi zgjedhjet për kreun e komunës Dajç, përballë Gjergj Doçit, i Aleancës për Qytetarin, (qeverisë). Ky është një lajm i mirë për ata që kërkojnë të respektohet vota e lirë e qytetarëve, në zgjedhje “të lira dhe të ndershme” siç i quan bota ato. Eshtë një lajm i mirë edhe për kandidatin socialist për kryetar të komunës, i cili paraqiti akuzën në organët e drejtisë dhe i qëndroi kësaj çështjeje deri në fund. Ky është shembulli i dytë në vend, kur gjykatat tona merren me rastet e manipulimit të zgjedhjeve dhe vënë para përgjegjësisë ligjore ata që e shkelin ligjin zgjedhor. Rasti i parë ishte ai i dënimit të komisionerëve të komunes Rruzhdie në Fier. Eshtë një lajm i mirë për opinionin në përgjithësi sepse jep të kuptojë se ligji, sado rrallë e për mall, do të veprojë mbi shkelësit e tij dhe prandaj, mjerë kush do të bëhet objekt i dënimit të tij, nëse ka futur duart në votat e popullit! Por rasti i manipulimit të zgjedhjeve në Lezhë është edhe një rast i veçantë dhe unik ndoshta, jo vetëm në Shqipëri. Sepse atje janë dënuar jo vetëm komisionerë të një partie të vetme, siç ndodhi në Fier, por komisionerët e partive të ndryshme, të paktën të tre a katër prej tyre, ndër to edhe ata të opozitës. Vjedhja e votave të votuesve në Dajç të Lezhës pra, është bërë në mënyrë “pluraliste” dhe “konsensuale”. Përfaqësuesit e partive kanë kryer krimin e vërtetuar tashmë të vjedhjes së bashku. Dhe po së bashku, janë përpjekur ta fshehin atë nga sytë e publikut dhe të gjykatës. Rasti në fjale, ashtu siç paraqitet në Lezhë, ngre një seri problemesh jo vetëm për njerëzit që angazhohen në procesin zgjedhor në bazë, nga veriu në jug, por edhe ata në qendër, në Tiranë. Frymëzimi për veprime të tilla të pështira vjen nga Tirana dhe merr “bekimin” po në Tiranë. Natyrisht, edhe mbrojtjen, aty ku është e mbundur. Problemi tani shtrohet se si ka mundesi që komisionerët, që përfaqësojnë parti të ndryshme politike në komision, të bien në ujdi për të shkelur ligjin në këtë mënyrë? Njëri shpjegim në këtë rast ka të bëjë me përdorimin e mjeteve të korrupsionit politik dhe ekonomik për komisionerët, pavarësisht se “bexhën” e cilës partie mbajnë ata të varur në jakën e xhaketës së tyre. Këta komisionerë nuk e kanë për gjë të falsifikojne në mënyrë publike dhe në sytë e vëzhguesve dokumentet zyrtare, të bindur se po bëjnë një punë të paqme. Natyrisht që në këtë rast premtimi për një vend pune, për një bursë shkolle, për një shuk parash të thata apo thjesht për një thes me miell, është bërë mjeti që e ka shumëzuar pluralizmin politik me zero. Ky korruptim i njerëzve poshtë, të atyre njerëzve të mjerë, që janë gati t’i falen çdo lloj lëmoshe pa asnjë princip, vjen me frymëzim “nga lart”. Janë ata “lart” që kanë dhënë porosi që të fitojë me çdo kusht kandidati përfaqësues i qeverisë, ashtu siç edhe fitoi, sepse kështu të mirat do të burojnë lumë për komisionerët pa dallim feje, partie dhe ideje! Kjo situate e trishtueshme e njeriut në bazë, tregon se sa poshtë kemi rënë si shoqëri në përgjithësi, pastaj edhe në politikë, domosdo. Sepse muajt e burgut dhe faqen e zezë për atë që bënë do ta kenë ata që u dënuan. Kodi elektoral është përgjithësisht i qartë për rastet e manipulimit të zgjedhjeve. Edhe sanksionet janë po ashtu goxha të rënda. Prokuroria në rastin e Lezhës kërkoi plot pesëmbëdhjetë vite burg për vjedhjen “konsensuale”. Por nga Kodi dhe zbatimi i tij në praktikë ka shumë rrugë për të bërë në këtë terren politik “me gunga”, në të cilin zhvillohen zgjedhjet në vendin tonë. Rasti i Lezhës tregoi se votimi në emër të refugjatëve që janë jashtë vendit, bëhet anë e mbanë Shqipërisë, pavarësisht se u ndëshkua vetëm në Lezhë, natyrisht aty ku nuk ka përfaqësues realë të opozitës. Përballë kësaj situate nuk mund të mos trishtohesh dhe të mendosh se edhe sa dekada na duhen akoma për të edukuar te njerëzit zbatimin e ligjit dhe ndershmërinë edhe në procesin e votimit, kur për më shumë se dy dekada, e kemi edukuar atë që të vjedhë, të manipulojë dhe të manipulohet pa teklif e në çdo kohë.
/Shqiptarja.com








