Dy persona kanë hyrë me forcë në Muzeun Renoir në Cagnes-sur-Mer, në jug të Francës, duke vjedhur katër vepra arti, njëra prej të cilave u braktis gjatë arratisjes.

Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i qytetit, Bryan Masson. Autorët u filmuan nga kamerat e sigurisë. Alarmi i muzeut u aktivizua në orën 05:48 të mëngjesit, ndërsa policia bashkiake mbërriti në vendngjarje në orën 05:53. Pasi u zbuluan, hajdutët u larguan me shpejtësi  duke hedhur njërën nga pikturat e vjedhura.

Muzeu Renoir u hap në vitin 1960 në shtëpinë ku piktori impresionist francez Pierre-Auguste Renoir kaloi vitet e fundit të jetës së tij deri në vdekjen, në vitin 1919. Në të ruhen objekte personale, mobilie, kavaleti dhe karroca e tij me rrota, si edhe një koleksion pikturash të artistit.

Kjo grabitje ndodh më pak se një vit pas vjedhjes së tetë objekteve me vlerë rreth 88 milionë euro nga Muzeu i LuvritParis. Për atë ngjarje janë arrestuar katër persona, por veprat e vjedhura nuk janë gjetur ende.

Muajin e kaluar, Europol raportoi se grabitjet e veprave të artit në Evropë po shoqërohen gjithnjë e më shumë me dhunë dhe se grupet e specializuara kriminale po zëvendësohen nga autorë të rekrutuar përmes rrjeteve sociale.