DURRËS - Dhuna në familje vijon të jetë një plagë e shoqërisë shqiptare. Këtë e dëshmojnë edhe njoftimet e përditshme të Policisë ku thuajse në çdo qytet të vendit shënohen raste të dhunës fizike apo psikologjike brenda familjes. Vetëm se në Durrës, asnjë nga palët nuk ka pranuar të jetë “viktimë” duke ju kundërpërgjigjur dhunës, e për këtë arsye janë lëshuar urdhra mbrojtjeje për të dyja palët e dëmtuara.
 
Rasti i parë është i një vjehrri 72-vjeçar me inicialet Sh.K dhe nuses 29-vjeçare të djalit të tij, me inicialet J.K. Policisë i është dashur të plotësojë kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme si për vjehrrin ashtu edhe për nusen. Ka qenë vjehrri i cili ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nuses së tij, por kjo e fundit ka refuzuar të pranojë dhunën, duke ja kthyer vjehrrit të saj me “të njëjtën monedhë”.
 
Po ashtu, në një tjetër rast të dhunës në familje, gruaja dhe ish-bashkëshorti i saj kanë kërkuar urdhra mbrojtje. 44-vjeçari me inicialet L.L ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht ish-gruan e tij 28-vjeçare, por këtë fakt nuk e ka duruar dot djali i tij 23-vjeçar, i cili i ka dalë në mbrojtje të ish-gruas së babait dhe ka e dhunuar 44-vjeçarin.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)