Skuadra e Aguirre, para publikut vendas në stadiumin ‘Azteca’, ka arritur të fitojë me rezultatin 2-0. Goli i parë erdhi që në minutën e 9 nga Quinones, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë vendasit mbetën me 10 lojtarë. Në vijim Meksika do të shënonte edhe golin e dytë me Raul.

Si të mos mjaftonte kjo pak minuta nga fundi i ndeshjes Afrika e Jugut mori edhe kartonin e dytë të kuq, duke mbyllur ndeshjen me 9 lojtarë. Gjithsesi në minutat shtesë edhe Meksika u ndëshkua me të kuq, pasi Montes ndërhyri gabimisht.

Kronologjia e ndeshjes

84’ Afrika e Jugut merr kartonin e dytë të kuq. Zwane lë ekipin me 9 lojtarë në minutat e fundit

67’ Meksika shënon golin e dytë me Raul Jimenez. 2-0 në Azteca, ndërsa Afrika e Jugut prej minutash luan me 10 lojtarë.

45+3’ Ka përfunduar pjesa e parë ndeshjes Meksikë-Afrikë e Jugut me rezultatin 1-0.

9’-Quinomes shënon golin e parë të Botërorit. Futbollisti i Meksikës ndëshkon Afrikën e Jugut.

1’-Pas ceremonisë hapëse që zgjati rreth 30 minuta, por edhe nxehmjes në fushën e blertë nisi në stadiumin ‘Azteca’ ndeshja Meksikë-Afrikë e Jugut.

Si vinin skuadrat

Meksika vjen pas një rekordi shumë pozitiv ndeshjesh kohët e fundit, ndërsa Afrika e Jugut kthehet në skenën globale pasi ka humbur tre turne. Vendasit kanë qenë të pamposhtur në 2026, duke korrur rezultate mbreslënëse gjatë përgatitjeve, që kulmojnë me fitoren 5-1 kundër Serbisë. Ata vijnë gjithashtu si kampionë kontinentalë, pasi fituan Ligën e CONCACAF si dhe Kupën e Artë në 2025, duke mposhtur Panamanë dhe SHBA-të në finale.

Trajneri i Meksikës, Javier Aguirre i cili luajti si futbollist në vitin 1986 kur vendi i tij priti Botërorin, thotë se ‘nuk ka asgjë më të bukur se të debutosh në vendin e lindjes’. ‘Do të luajmë si familje,’-thotë ai. Disa lojtarë të Meksikës janë rikthyer në formë kohët e fundit, duke iu referuar Luis Angel Malagon por edhe Marcelo Ruiz. Vendasit cilësohen favoritë absolutë kundrejt vendit të 60 në renditjen e FIFA-s, por trajneri Aguirre i ka kërkuar lojtarëve të ulin euforinë.

Te Afrika e Jugut mesfushori Teboho Mokoena është përpjekur të kalojë presionin te Meksika, duke deklaruar se ‘ne nuk kemi presion, por organizatorët po’. Trajneri Hugo Broos ndërkohë tha se për Afrikën e Jugut grupi është shumë i vështirë.

Meksika dhe Afrika e Jugut bëjnë pjesë në grupin A të Botërorit ku janë edhe Republika Çeke e Korea e Jugut. Këto dy skuadra do të përballen po sonte me orën lokalë të Meksikës, ndërsa me orën shqiptare është me datë 12 në orën 04:00 të mëngjesit.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 03:14
Nuk ishte thjesht një fitore e Meksikës, 5 faktet që shënjuan ndeshjen hapëse të Botërorit 2026

1781226923_meksikeboterori2026.jpg

Fitorja 2-0 e Meksikës ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 nuk solli vetëm tre pikët e para të turneut. Përballja e zhvilluar në stadiumin legjendar 'Azteca' hyri në histori për disa statistika dhe rekorde të veçanta që mund t’u kenë shpëtuar shumë tifozëve.

1. Një ndeshje hapëse që u përsërit pas 16 vitesh

Meksika dhe Afrika e Jugut rikrijuan skenarin e Kupës së Botës 2010, kur dy kombëtaret u përballën në ndeshjen hapëse në Johannesburg dhe barazuan 1-1. Plot 16 vite më vonë, ky duel u përsërit, duke u bërë rasti i parë në historinë e Botërorëve që një ndeshje hapëse luhet sërish mes të njëjtave skuadra.

2. 'Azteca' vendos një rekord historik

Arena ikonike e Mexico Cityt konfirmoi edhe një herë statusin e saj legjendar. Ndeshja mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut ishte e 20-ta e luajtur në këtë stadium në historinë e Kupës së Botës, më shumë se çdo impiant tjetër në planet. 'Azteca' kryeson listën me pesë ndeshje më shumë se stadiumi ndjekës.

3. Meksika vazhdon të shkruajë histori pa prekur trofeun

Përfaqësuesja vendase regjistroi pjesëmarrjen e saj të 18-të në një Kupë Bote, rekord absolut për vendet e zonës CONCACAF. Megjithatë, meksikanët mbeten edhe kombëtarja me më shumë ndeshje të zhvilluara në histori të turneut pa arritur të fitojnë trofeun, duke numëruar tashmë 60 takime.

4. Gilberto Mora, simboli i brezit të ri

Një moment historik u regjistrua edhe në aspektin e brezave. Talenti meksikan Gilberto Mora u bë futbollisti i parë i lindur pas finales së Kupës së Botës 2006 që aktivizohet në një ndeshje të këtij Botërori, duke shënuar hyrjen e një gjenerate të re në skenën më të madhe të futbollit.

5. Tre kartonë të kuq dhe një rekord i pazakontë

Përballja ishte e mbushur me tension dhe emocione, aq sa arbitri nxori plot tre kartonë të kuq. Kjo bëri që ndeshja të kishte më shumë përjashtime sesa gola, një statistikë tepër e rrallë në historinë e kompeticionit. Afrika e Jugut u bë gjithashtu skuadra e parë që merr dy kartonë të kuq në një ndeshje të Kupës së Botës që nga viti 2006, kur Portugalia dhe Holanda përjetuan përplasjen e famshme të njohur si 'Beteja e Nurembergut'.

Ora 02:24
VIDEO/ As stuhia nuk i ndal tifozët e Meksikës, mbushin sheshet dhe festojnë fitoren në Botërorin 2026

1781223937_mexicocity.jpg

Meksika fitoi 2-0 kundër Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 në 'Azteca'. Pas suksesit tifozët vendas në Mexico City mbushën rrugët e qytetit duke festuar për orë të tëra paçka një stuhie me shi dhe erëra të forta.

Përtej festës, edhe një protestë e dhunshme që solli përplasjen me policinë u pa në rrugët e kryeqyteit të Meksikës para nisjes së ceremonisë hapëse të eventit.

Ora 01:15
Afrika e Jugut futet 'në histori', por për një rekord negativ në Kupën e Botës

1781219762_thembazwaneafrikaejugut.jpg

Afrika e Jugut ka hyrë në histori në mënyrën më të padëshiruar të mundshme, duke u bërë kombëtarja e parë që merr dy kartona të kuq në një ndeshje hapëse të Kupës së Botës.

Mesfushori Yaya Sithole ishte lojtari i parë që u përjashtua nga loja në minutën e 49-të të përballjes ndaj Meksikës, ndërsa problemet për "Bafana Bafana" u thelluan edhe më shumë kur veterani Themba Zwane u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 84-të.

Afrika e Jugut u mposht me rezultatin 2-0 nga Meksika, duke e nisur në mënyrën më të keqe aventurën e saj në Botërorin 2026.

Përveç rekordit negativ në një ndeshje hapëse, "Bafana Bafana" u bë gjithashtu kombëtarja e parë që merr dy kartonë të kuq në një ndeshje të vetme të Kupës së Botës që nga turneu i vitit 2006.

Hera e fundit që ndodhi një gjë e tillë ishte në përballjen mes Portugalisë dhe Holandës në Kupën e Botës 2006, një ndeshje që mbeti në histori për numrin e madh të kartonëve dhe përjashtimeve.

Ora 01:09
Panik pranë 'Aztecas', tifozi pëson infarkt pak para hapjes së Botërorit 2026

1781219398_azteca.JPG

Momente ankthi janë regjistruar pranë stadiumit “Azteca” në Mexico City, vetëm pak minuta para ceremonisë hapëse të Kupës së Botës 2026 dhe sfidës inauguruese mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.

Sipas informacioneve të autoriteteve lokale, një tifoz i huaj, identiteti dhe kombësia e të cilit nuk janë bërë ende publike, ka pësuar një infarkt teksa ndodhej në afërsi të impiantit sportiv.

Shërbimet e emergjencës reaguan menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë në vendngjarje përpara se ta transportonin me urgjencë drejt një qendre spitalore.

Burime mjekësore konfirmuan se gjendja e tifozit është aktualisht e qëndrueshme, ndërsa theksuan se ndërhyrja e shpejtë e ekipeve të shpëtimit ka qenë vendimtare për shmangien e pasojave më të rënda.

Ngjarja ndodhi në mes të atmosferës festive që shoqëroi startin e Botërorit 2026, turneut më të madh të futbollit në botë, i cili këtë edicion organizohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Kanadaja.

Ora 00:13
Shënoi golin e parë në Botërorin 2026, sulmuesi i Meksikës realizoi më shumë se Cristiano Ronaldo në sezonin e fundit

1781216070_julianquinones.jpg

Lojtari i momentit i Meksikës, autori i golit të parë në Kupën e Botës 2026, Julian Quinones, është golashënuesi më i mirë në Ligën Saudite për sezonin 2025-26. Sulmuesi i Al-Qadsiah shënoi 33 gola, duke përfunduar përpara sulmuesit të Anglisë, Ivan Toney dhe superyllit të Portugalisë, Cristiano Ronaldo.

Ora 23:58
Nuk ndodhte prej 36 vitesh, Yaya Sithole i Afrikës së Jugut merr karton të kuq në ndeshjen hapëse të Botërorit 2026

1781215183_yayasithole.jpg

Yaya Sithole merr kartonin e parë të kuq në Kupën e Botës 2026. Hera e fundit që një lojtar ishte ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen hapëse të Botërorit, kishte ndodhur në vitin 1994, në Botërorin e SHBA-së. Veç Yaya Sithole të Afrikës së Jugut, karton të kuq morën edhe bashkëkombasi i tij, Themba Zwane dhe meksikani Cesar Montes. Meksika fitoi 2-0 në ndeshjen hapëse.