Lidhur me dhunën në protestën e opozitës kanë reaguar edhe ndërkombëtarët. Konkretisht Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë kanë dënuar aktet e dhunës së ushtruar nga protestuesit dhe kanë bërë thirrje që udhëheqësit e opozitës të tregohen të përgjegjshëm dhe të përmbajtur në protestat e thirrura në vijim. 

Po kështu gjatë protestës së mbrëmshme ku shpërtheu dhuna kanë reaguar edhe prezenca e OSBE dhe SHBA në vend ku kanë bërë thirrje palëve që çdo akt dhune është i patolerueshëm dhe i pajustifikueshëm. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:44
Delegacioni i BE-së në Tiranë dënon dhunën në protestë: Nuk tolerohet, udhëheqësit e opozitës të tregojnë përgjegjësi


Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë me anë të një deklarate  ka dënuar aktet e dhunës të ndodhura mbrëmjen e djeshme në protestën e thirrur nga opozita. Ata u bëjnë thirrje protestuesve dhe udhëheqësve të tyre politik të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje në protestat e thirrura që pritet të mbahen në ditët në vijim.

" Protesta paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane. Dhuna nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë. Duke pasur parasysh protestat e shpallura sot dhe në ditët e ardhshme në Tiranë, Delegacioni i Bashkimit Evropian u bën thirrje protestuesve dhe udhëheqësve të tyre politikë të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje. Pikëpamjet e ndryshme politike duhet të trajtohen përmes debatit dhe dialogut." shkruhet në reagimin e Bashkimit Europian në Tiranë.

Ora 23:50
OSBE reagon sërish: Dhuna nuk është përgjigja

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar sërish për aktet e dhunës në protestën e sotme.

“Prezenca e OSBE-së e ka ndjekur protestën e sotme minutë pas minute.Ne përsërisim qëndrimin tonë të palëkundur që dhuna nuk është përgjigja. Gjithashtu, reagimi i rëndë ndaj dhunës nuk ndihmon.”– thuhet në reagimin e OSBE. 

Ora 23:31
REAGIMI i ashpër nga OSBE: Organizatorët e protestës duhet të mbajnë përgjegjësinë për gjithçka

1557608483_digjenkazanet.jpg

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar ashpër për aktet e dhunës në protestën e sotme.

“Organizatorët e protestës së mbrëmjes të sotme duhet të mbajnë përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre.

Mendimet tona shkojnë me familjet e të plagosurve.

OSBE-ja do të vijojë të nxisë opozitarizmin efikas dhe dialogun në Shqipëri.

Por ne i dënojmë plotësisht ata që përpiqen të përdorin dhunën si një rrugë të shkurtër politike; ata do të dështojnë.”– thuhet në reagimin e OSBE.

Ora 21:50
Protesta e dhunshme/ Reagon ASHPËR Ambasada Amerikane në Tiranë

1557604117_thumbnailDSC8293.jpg

"Ambasada e SHBA dënon dhunën e pranishme gjatë protestës së sotme. Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje".