Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën (30 gusht) se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili tha më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani në një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

Osmani ka thënë se Kosova ka arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për shtensionim të situatës në veri qysh më 10 korrik në Bratisllavë.

Ajo e ka përmendur që marrëveshja parasheh zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, hap që ajo ka thënë se Kosova e ka bërë, dhe se është duke u punuar në organizimin e zgjedhjeve të reja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:04
Vjosa Osmani: Kosovës të mos i bëhet presion në dialog, sa kohë që Vuçiç fle mbi varreza masive

1693386741_vjosaosmani.JPG

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje të mërkurën që vendit të saj të mos i bëhet më trysni në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të vazhdojë “të flejë mbi varrezat masive” të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.

Duke folur pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit më 30 gusht në Prishtinë, Osmani tha se Serbia po vazhdon ta përsërisë krimin e saj duke e fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1,600 persona.

“Shpresojmë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë më një proces përmes të cilit Kosovës do t’i bëhet trysni dhe popullit të Kosovës padrejtësi, ndërkaq fytyra e Vuçiçit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive, do të vazhdojë të shpërlahet padrejtësisht”, tha Osmani.

Më 2 maj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb Vuçiç, nënshkruan Deklaratën për të Pagjeturit, si pjesë e një dialogu të nivelit të lartë politik, përmes të cilës palët u zotuan të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si 'konfidenciale'.

Por, presidentja Osmani tha se marrëveshja nuk është duke u zbatuar nga Serbia, duke thënë se “për fat të keq shpesh herë gjinden arsyetime që kinse duhet edhe dokumente të tjera përcjellëse, megjithatë, nenet e asaj deklarate janë shumë të qarta, tregojnë se çfarë duhet të bëjë Serbia, pra t’i hapë të gjitha arkivat.”

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000, prej të cilëve rreth 1.600 janë ende të pagjetur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi./ REL