Presidentja Vjosa Osmani deklaron se është koha që Kosova të ulet në bisedime me SHBA dhe BE për të gjetur një zgjidhje për krizën në veri të vendit.  Në një takim me korrespondentë politikë, gjatë qëndrimit të saj në Berlin, Osmani tha se është koha të ulemi për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.

"Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”-ka deklaruar ajo për Dojce Velle.

Përsa i përket zgjedhjeve të reja në katër komunat serbe në veri të Kosovës, Osmani tha se kusht për mbajtjen e tyre është që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve dhe Serbia të mos ndërhyjë. Në lidhje me kërkesën e ndërkombëtarëve për tërheqjen e forcave policore, ajo tha se Kosova tashmë ka propozuar që të bëhet një vlerësim i përbashkët i sigurisë së bashku me KFOR dhe EULEX, në bazë të të cilit do të bëhet tërheqja. Por ajo deklaroi se duhen vijuar përpjekjet e përbashkëta për sundimin e ligjit për të gjetur kriminelët që ushtruan dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it  dhe të tjerëve. Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, ajo tha se nuk beson se ai do të ndalet, siç është aluduar në media: "Na janë dhënë garancitë e siguruara nga institucionet evropiane se kjo nuk do të ndodhë.”-tha Vjosa Osmani.

Për situatën e krijuar në veri të Kosovës, presidentja Osmani sheh si përgjegjës homologun e saj serb, Aleksandar Vuçiç. Ajo thekson se Vuçiç është kthyer në strategjinë e vjetër që krijon krizë pas krize duke bllokuar suksesin dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

Kritikat nuk i ka kursyer edhe ndaj ndërkombëtarëve.

"Ka pasur shkelje të vazhdueshme në këto dy muajt e fundit, që nga 18 marsi, kur u bë marrëveshja, por asnjëherë deri më tani nuk kemi dëgjuar një lloj deklarate nga Bashkimi Evropian duke thënë, po, kjo është një shkelje e marrëveshjeve. Mendoj se kjo po e inkurajon Serbinë që të mos kujdeset për procesin dhe po dëmton besueshmërinë e procesit të dialogut.”-deklaron Osmani.

Ajo tha se Rusia ka interes për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor. Osmani ndodhet në Berlin me ftesë të presidentit, Frank Walter Steinmeier për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale. Presidentja e Kosovës e shfrytëzoi këtë ftesë për të bërë një sërë takimesh me aktorë të rëndësishëm politikë në Gjermani.