Në nisje të paradës të Forcave të Sigurisë dhe Policisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani mbajti një fjalë duke i paraprirë marshimit qytetar që do të pasojë në orën 14:00. “Një histori e shkruar me gjak nuk mund të fshihet e shtrembërohet”, tha Osmani teksa shprehu mbështetje të plotë kundrejt protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Si presidente e Republikës së Kosovës, i jap mbështetje të fuqishme këtij marshi sepse qytetarët tanë nuk kërkojnë asgjë tjetër veç drejtësisë. Qytetarët tanë e dinë mirë se mbrojtja e luftës sonë çlirimtare është mbrojtje e vetë shtetit të Kosovës, sepse e dinë mirë se UÇK-ja është betimi i përgjakur i popullit tonë nga i cili nuk do të heqim dorë asnjëherë”, tha presidentja.

Ajo shtoi se sot Kosova është e gatshme të mirëpresë përgjegjësi dhe të anëtarësohet në NATO.

“Sot Kosova po ndërton kapacitetet e saj të mbrojtjes me përgjegjësi dhe vizion. Sot, trashëgimtarët e UÇK-së, Forca jonë e Sigurisë dhe Policia e Kosovës po na bëjnë çdo ditë krenarë. Ata po dëshmojnë se Kosova është gati për NATO-n. Vajzat dhe djemtë tanë me uniformë janë dëshmi se ky shtet ka bij e bija të gatshëm t’i shërbejnë atdheut me nder, përkushtim dhe të kontribuojnë në paqen globale. Sot Kosova është më e fortë, më e përgatitur se kurrë, sot Kosova është më e vendosur se çdo herë për të ecur ëprpara pavarësisht sfidave”, tha presidentja, duke shtuar edhe një fjalë për të rinjtë e vendit: “Ruajtja e Kosovës është amaneti më i rëndësishëm për ju”.


Lajmi kryesor:

Kosova feston sot 18 vite pavarësi/ Kuvendi në seancë solemne! Osmani, Kurti e Begaj: Historia nuk mund të shkruhet pa 4 liderët e UÇK-së