Vjosa Osmani pranon zyrtarisht detyrën e presidentes së Kosovës, në një ceremony larg shkëlqimit të zakonshëm për shkak të pandemisë. Osmani e ka pranuar zyrtarisht detyrën e re, në një ceremoni në sheshin “Ibrahim Rugova” në kryeqytet.
Këtë detyrë asaj ia ka dorëzuar kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili për pak ditë qe ushtrues detyre i presidentit. Para se të merrte detyrën Vjosa Osmani ka parakaluar pranë gardës së Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me krye parlamentarin Glauk Konjfuca.
Në ceremoni kanë marrë pjesë ambasadorë të disa vendeve, kryeministri Albin Kurti dhe anëtarë të kabinetit qeveritar. Pas pranimit zyrtar të detyrës, të pranishmit kanë shkuar në ndërtesën e presidencës, ku është edhe zyra e të pares së shtetit.
Osmani është parë duke hyrë aty së bashku me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriun dhe dy vajzat. Gjatë ditës janë paralajmëruar disa aktivitete të Osmanit, përfshirë këtu edhe homazhe në varret e dëshmorëve dhe varrin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.
Kuvendi i Kosovës ka votuar të dielën me 71 vota në të mirë të saj, për zgjedhjen në këtë pozitë. Pas zgjedhjes, ajo ka bërë betimin para deputetëve.