Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri për organizimin, funksionimin dhe fushën e veprimit të Policisë Vullnetare, duke shfuqizuar vendimin e vitit 2019. Ky vendim i ri, i mbështetur në ligjin e ri për Policinë e Shtetit, riorganizon nga themeli mënyrën se si qytetarët angazhohen si policë vullnetarë në mbështetje të strukturave shtetërore të rendit.
Çfarë është Policia Vullnetare dhe si funksionon?
Policia Vullnetare është një strukturë ndihmëse, ku qytetarët angazhohen vullnetarisht, pa pagesë, për të mbështetur Policinë e Shtetit në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Këta qytetarë nuk janë punonjës të policisë, por janë të trajnuar dhe të certifikuar për të kryer detyra të caktuara.
Qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i sigurisë publike, forcimi i kapaciteteve të strukturave të Policisë së Shtetit dhe inkurajimi i angazhimit qytetar, duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet policisë dhe komunitetit për rritjen e besimit dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Sipas vendimit të publikuar në faqen e Kryeministrisë, shërbimi i policëve vullnetarë nuk zgjat më shumë se 5 orë në ditë dhe 25 orë në javë.
Policët vullnetarë trajnohen nga Akademia e Sigurisë dhe numri i atyre që do të shërbejnë përcaktohet çdo vit nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në bazë të nevojave dhe të propozimeve të drejtorive vendore të policisë, përcakton numrin e policëve vullnetarë. Mes policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë lidhet një kontratë vullnetarizmi, e cila rregullon marrëdhënien ndërmjet palëve, duke përcaktuar të drejtat, detyrimet përkatëse, kohëzgjatjen dhe kushtet e ushtrimit të shërbimit, kriteret për përfshirje, si dhe shkaqet, procedurat dhe pasojat juridike, që lidhen me pezullimin, përfundimin apo zgjidhjen e saj.
Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë, të caktuar nga drejtuesi i strukturës vendore të Policisë së Shtetit.
Fushat ku angazhohen policët vullnetarë
Policët vullnetarë angazhohen në menaxhimin e rendit në aktivitete masive, ndihmojnë në rregullimin e trafikut, patrullojnë pranë institucioneve arsimore, ndihmojnë në parandalimin e krimit, mbrojtjen e mjedisit dhe të pronës, mbështesin policinë kufitare dhe marrin pjesë në operacione emergjencash civile dhe kërkim-shpëtimi.
Kush mund të bëhet polic vullnetar?
Çdo person nga 18 deri në 65 vjeç., që duhet të ketë përfunduar arsimin e mesëm. Të jetë i padënuar dhe me gjendje të mirë shëndetësore. Të ketë kaluar trajnimin në Akademinë e Sigurisë dhe verifikimin e besueshmërisë. Në vendimin e qeverisë thuhet se nuk lejohet angazhimi i gjyqtarëve, prokurorëve, drejtuesve politikë, punonjësve të sigurisë kombëtare, Gardës së Republikës apo Policisë së Burgjeve.
Procesi i aplikimit dhe përzgjedhjes
Të drejtat dhe përgjegjësitë e policit vullnetar
Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave përcakton me detaje edhe të drejtat dhe përgjegjësitë që ka çdo qytetar që shërben si polic vullnetar. Ky status përfshin jo vetëm detyrime etike dhe operacionale gjatë shërbimit, por edhe të drejta ligjore, mbështetje institucionale dhe mundësi trajnimi nga Akademia e Sigurisë. Shërbimi kryhet gjithmonë i paarmatosur dhe nën mbikëqyrjen e strukturave të Policisë së Shtetit.
Përgjegjësitë e Policisë së Shtetit
Vendimi përcakton qartë edhe detyrimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si institucioni përfitues i këtij shërbimi. Policia është përgjegjëse për trajnimin, organizimin, mbështetjen materiale dhe ligjore të çdo qytetari që angazhohet në këtë rol, duke garantuar kushte pune, transparencë dhe respektim të të drejtave të vullnetarëve.
Komente










