Fermerët e kafshëve që u dëmtuan gjatë vitit 2025 nga murtaja e ruminantëve të vegjël do të dëmshpërblehen në masën 53 345 500 lekë në total.
Pronarët do të dëmshpërblehen nga buxheti i vitit 2026 i miratuar për Ministrinë e Bujqësisë.
V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË VLERËS SË DËMIT DHE TË DËMSHPËRBLIMIT TË PRONARËVE PËR KAFSHËT E THERURA, TË ELIMINUARA, TË SHKATËRRUARA E TË GROPOSURA NGA SËMUNDJA E MURTAJËS SË RUMINANTËVE TË VEGJËL NË VITIN 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 49, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e dëmshpërblimit, në masën e përgjithshme prej 53 345 500 (pesëdhjetë e tre milionë e treqind e dyzet e pesë mijë e pesëqind) lekësh, pronarëve të kafshëve që janë therur, janë eliminuar, janë shkatërruar dhe janë groposur, pasi kanë rezultuar pozitive me sëmundjen e murtajës së ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025, në bazë të analizave të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Pronarët dëmshpërblehen nga buxheti i vitit 2026, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nga shpenzimet korrente, në programin buxhetor 04220 “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Komente










