TIRANE - Punësimi i shumë grave dhe vajzave si punëtore shtëpie në familje të tjera bëhet pothuajse tërësisht në mënyrë të “fshehtë”, pasi shumë prej tyre nuk janë të siguruara. Sipas VKM-së nr. 1114, datë 30.7.2008, të ndryshuar me V.K.M. nr. 700, datë 18.06.2009, si dhe në Udhëzimin e Ministrisë së Financave, nr. 26, datë 16.04.2009 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore e shëndetësore”, thuhet se nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore sigurohen në mënyrë të detyrueshme të punësuarit që punojnë me kohë të plotë apo të pjesshme pune, si punëtorë shtëpie, në familjet e të tjerëve, sigurohen në mënyrë të detyrueshme.

Punëtorë shtëpie janë personat që punësohen nga kryefamiljari, në punë të tilla si kujdestar për fëmijët, kuzhinier, pastrues, roje-administrator shtëpie, asistent për të moshuarit, etj. Ndonëse ky vendim ka gati 5 vite që është marrë ai ende nuk është vendosur në zbatim, pasi punëdhënësit e këtyre punëtoreve të familjeve, nuk i paguajnë sigurimet e punonjësve të tyre. Bedria është një grua 55 vjeçare e cila na tregon se sa orë në ditë punon dhe sa paguhet për punën që bën. “Unë kam mbi 10 vjet që punoj nëpër familje. Marr 200 mijë lekë të vjetra në muaj, kam vetëm një ditë pushim. Deri tani nuk më janë paguar sigurimet. I kam paguar vet me kontribut vullnetar.

Sepse më duhet të marr ilaçet, se pa librezë nuk i marr dot se janë shumë të shtrenjta. Të punosh si shërbyese në familje është shumë e vështirë pasi, je e detyruar tu përshtatesh njerëzve dhe të durosh shpeshherë edhe ofendimet e tyre” na tregon Bedria. E pyetur nëse nuk do t’i paguheshin sigurimet edhe pas asaj qe tha dje Kryeministri Sali Berisha, ajo na thotë “Po sigurisht që do e vazhdoj punën edhe nëse nuk do mi paguajnë sigurimet për të ardhmen, se nuk kam ku të shkoj. Të rri pa punë? Çfarëdo ligji të dalë jam e sigurt se ne nuk kanë për të na i paguar sigurimet. Sepse nuk kanë si ta zbatojnë një ligj që të jetë i detyrueshëm të paguhen sigurimet tona.

Pasi ne nuk kanë si të na kontrollojnë” na thotë ajo. Xhelina Qesaraku është një tjetër punëtore e cila punon nëpër familje “Unë nuk kam kërkuar që të më paguhen. Do e vazhdoj punën edhe nëse nuk më paguajnë sigurimet, sepse nuk mund ta lë pasi unë marrë gati 10-15 mijë lekë në ditë. Të marrim lekë deri tani sa jemi në gjendje të punojmë, se mosha e pensionit nuk ka për të na kapur. Sa të shkoj unë 60 vjeç, qeveritarët kanë për ta çuar pensionin 70 vjeç” thotë Xhelina

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 7 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)