Vladimir Putin po përgatit një ‘Rusi të vogël’ në Ballkan

Vladimir Putin po përgatit një ‘Rusi të vogël’ në Ballkan

Armatosja e Serbisë, kryesisht në dy vjetët e fundit, me kontingjente armatimesh të ndryshme nga Rusia, duhet të jetë shqetësuese, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin, vendet e të cilit ose janë pjesë e aleancës së NATO-s ose kanë prezencë të kësaj aleance, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë në dorëheqje të Kosovës.

Zëvendësministri në dorëheqje i Mbrojtjes, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë që zgjerimi i NATO-s në Ballkan ka ofruar dhe ndikuar në stabilitetin dhe sigurinë rajonale në formë të rëndësishme, duke krijuar besimin se Ballkani do të ketë paqe të përhershme kur të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e NATO-s.

Në anën tjetër, siç thotë ai, Serbia, ndonëse ka shpallur neutralitet ushtarak, ajo e ka thyer dukshëm këtë neutralitet duke u armatosur me pajisje, sipas standardit rus.

“Duket e qartë se Serbia, me orientim, por edhe me armatosje, po kthehet në një ‘Rusi të vogël’ në Ballkan dhe domosdo që kjo paraqet shqetësim për sigurinë në tërë rajonin e Ballkanit dhe jo vetëm për shtetet veç e veç. Si e tillë, ajo, është një sinjal jashtëzakonisht i keq i përcjelljes së logjikës kërcënuese ndaj shteteve fqinje, respektivisht, mungesë e investimit për fqinjësi të mirë”, tha Ramadani.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që Serbia po armatoset me armë që vijnë kryesisht nga Rusia, e të cilat, sipas tij, janë të frikshme për vendet e rajonit. Siç thotë ai, këto armë e bëjnë Serbinë të varur nga kontingjentet e armëve ruse dhe pjesët rezervë. Megjithatë, e gjithë kjo, siç vlerëson Tahiri, është vazhdim i një mitologjie serbe, të cilën po e shfrytëzon udhëheqja e këtij shteti, si një lloj popullzimi dhe tradite që serbët janë popull ushtarak, duke e nxitur në një mënyrë armiqësinë me popujt tjerë.

“Armatimi, numri i madh i ushtarëve dhe i rezervistëve në Serbi, e mbanë në një formë ushtarake organizimin e shoqërisë, që është tradicional dhe gjithashtu, e mban në pushtet këtë garniturë, e cila nuk i nënshtrohet procedurave të zgjedhjes dhe rizgjedhjeve demokratike. E mbanë në një psikozë të rrezikut të përhershëm Serbinë dhe popullin serb, si dhe në një lloj tensioni ose armiqësie, që herë pas here, politika, përmes deklaratave, e bëjnë edhe me shqiptarët, me Bosnjën, e bëjnë sidomos me kroatët dhe ndonjëherë u ndodhë edhe me bullgarët”, theksoi Tahiri.

Tahiri ka shtuar se Serbia po shpenzon para të majme për armatimet nga Rusia dhe kjo e vendosë atë në pozitë të palakmueshme, sepse e detyron atë që në përditshmëri të përdorë retorikën e rrezikut dhe armatosjen për mbrojtje. Ndërkaq, sipas tij, armatimi ajror, i këtij tipit që ka blerë Serbia, është sulmues.

Ndërkaq, zëvendësministri në dorëheqje, Ramadani, thotë se Serbia është e rrethuar me vende fqinje, që janë pjesë e NATO-s ose kanë prezencë të kësaj aleance. Nisur nga ky fakt, ai shtron pyetjen, se për çfarë i nevojitet Serbisë armatosja nga Rusia?

“Çka po i duhet kjo armatosje nga Rusia dhe kundër kujt e ka? Sepse, fqinjët e Serbisë, janë që të gjithë, qoftë anëtar të NATO-s, qoftë me prezencë të NATO-s – në këtë rast po flasim për Kosovën, e cila e ka prezencën e NATO-s. Ky është një argument i fuqishëm që e bën Serbinë të shihet qartë se ‘Rusi e vogël’, si aleate, si hapësirë gjeografike dhe politike, në të cilin Rusia e menaxhon aspektin e sigurisë. Të mos harrojmë që shumë prej këtyre pajisjeve janë të përdorura, janë pajisje të vjetra të Rusisë, por të cilat shërbejnë, kryesisht edhe për mbledhje të informacioneve, respektivisht, për inteligjencë”, u shpreh Ramadani.

Megjithatë, politologu Tahiri thekson që Rusia nuk e rrezikon interesin e vet kombëtar për shkak të Serbisë.

“Rusia është superfuqi dhe e luan lojën politike dhe gjeostrategjike globale. Nuk e rrezikon interesin e vet kombëtar për Serbinë ose për interesa të Serbisë. Rusia nuk po ia jep armatimin e fundit Serbisë edhe për shkak të pasigurisë se mund të shkojë në duar të tjera. Ky regjim, nuk do të thotë që do të jetë gjithmonë i qëndrueshëm për rusët. Por, Serbia po përfiton, sepse po konsideron që rregullimin e saj gjeopolitik karshi fqinjëve, sidomos karshi Kosovës dhe Bosnjës, nuk e ka përfunduar”, vlerësoi Tahiri.

Ai ka shtuar se Serbia po i bën shantazh Perëndimit, përmes bashkëpunimit me Rusinë, marrë parasysh që të gjitha vendet për rreth saj janë në NATO ose me prezencë të kësaj aleance ushtarake. E gjithë kjo, sipas tij, është një politikë e udhëheqjes së Serbisë, e presidentit Alaksandar Vuçiq, Ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq dhe Ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, si dhe partive të tyre, për ta mbajtur popullin serb në gjendjen ekzistuese, deri në momentin që të rregullojnë çështjet me Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Kontingjenti i fundit i mjeteve ushtarake, 10 autoblinda të tipit BRDM -2, të cilat Rusia, sipas zyrtarëve të Serbisë, ia ka falë kësaj të fundit, është prezantuar 2 ditë më parë. Më herët, Serbia, ka pranuar gjashtë aeroplanë luftarakë të llojit, MiG-29 nga Rusia.

Gjatë muajit korrik, Rumania, shtet anëtar i NATO-s, ka parandaluar dërgesën e 60 tankeve ruse dhe mjeteve tjera të armatosura, përmes Lumit Danub për në Serbi, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës. Më 26 korrik, Ministria e Jashtme e Rumanisë ka deklaruar se nuk ka mundur të miratojë një leje për kalim në territorin e këtij shteti, bazuar në ndalesat e vëna më 2014. REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • shqiptari: 01/08/2019 13:16

    Loje e te medhenjve qe te vegjlit te shpenzojne me shume per mbrojtjten duke blere armatime nga ata sesa te investojne ne bashkepunim dhe zhvillim te ndersjellte per paqe ne ballkan.

    Përgjigju
  • adamo311: 01/08/2019 04:22

    Trum-i, Putin-i dhe patriotet luftojn kriminelet!!! Fashistet, Kabalistet, Khazaret, Zionistet, ...Gazetaret qe perhapin genjeshtra (te paguar nga Soros) luftohen!!! Prandaj mos keni frike!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja