Më pak se një javë pasi Presidenti kinez Xi Jinping shtroi tapetin e kuq për Presidentin e SHBA-së Donald Trump, udhëheqësi kinez po pret një tjetër mysafir nderi dhe këtë herë është aleati rus Vladimit Putin.
Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në kryeqytetin kinez pak më parë, për një vizitë shtetërore, për të nxjerrë në pah aleancën e Pekinit dhe Moskës përballë trazirave gjeopolitike globale.
Kina dhe Rusia po përballen me marrëdhënie në ndryshim me administratën Trump dhe po shqyrtojnë nëse duhet të luajnë ndonjë rol në ndihmën për t'i dhënë fund konfliktit SHBA-Iran, që ka bllokuar furnizimet globale me naftë dhe ka shpërqendruar Uashingtonin nga lufta shumëvjeçare e Rusisë në Ukrainë.
Që Xi po mirëpret, brenda një jave, dy udhëheqës botërorë, të cilët janë të bllokuar në konflikte në dukje të pazgjidhshme të shkaktuara nga vetë ata, vështirë se do t’i shpëtojë qeverisë kineze, e cila e ka përdorur luftën e Trump me Iranin në veçanti për ta paraqitur Kinën si një lidere globale alternative dhe përgjegjëse.
Dhe si Pekini ashtu edhe Moska kanë kërkuar gjithashtu të shfrytëzojnë përmbysjen e politikës së jashtme tradicionale të SHBA-së nga Trump, për të çuar përpara vizionin e tyre për një botë që nuk dominohet nga fuqia amerikane apo nga një sistem aleancash i udhëhequr nga SHBA-ja.
Trump dhe Xi shtrëngojnë duart në Pekin të premten CCTV
Vizita e kësaj jave është e 25-ta e Putinit në Kinë në më shumë se dy dekadat e tij si udhëheqës i Rusisë, një periudhë në të cilën Kina dhe Rusia kanë forcuar bashkëpunimin në tregti, siguri dhe diplomaci, të nxitura nga një mosbesim i përbashkët ndaj Uashingtonit dhe një afinitet i dukshëm personal midis Putinit dhe Xi-së, të cilët zakonisht i referohen njëri-tjetrit si miq "të dashur" ose "të vjetër". Të dy janë takuar më shumë se 40 herë.
Është një vizitë në nivel shtetëror, kështu që Putini u prit në një ceremoni pompoze, me qilim të kuq të një bandë ushtarake, e ngjashme me atë që Xi kishte përgatitur për Trump javën e kaluar.
Në një mesazh që ai tradicionalisht jep përpara udhëtimeve të tij në Kinë, Putin vlerësoi marrëdhëniet Rusi-Kinë si të paprecedenta.
Të dyja palët mbështesin “njëra-tjetrën në çështjet që prekin interesat thelbësore të të dy vendeve, duke përfshirë mbrojtjen e sovranitetit dhe unitetit shtetëror”, tha ai në një mesazh të botuar të martën.
Udhëheqësi rus u prit të martën vonë nga një turmë të rinjsh në aeroport, të cilët brohoritën: “Mirë se vini, mirë se vini, mirë se vini me entuziazëm!”
Përpara vizitës, media shtetërore kineze botoi gjithashtu artikuj që vlerësonin lidhjet "e patundura" të dy vendeve në një "situatë të trazuar ndërkombëtare".
Një artikull në gazetën e mbështetur nga shteti, Global Times, i cilësoi gjithashtu vizitat pothuajse njëra pas tjetrës nga udhëheqësit amerikanë dhe rusë si një shenjë se Kina po “shfaqej me shpejtësi si pika qendrore e diplomacisë globale”.
Komente











