Megjithëse regjisorja Xhanfise Keko ka punuar në kushtet e një doktrine imponuese në art, gjatë periudhës së komunizmit, ajo sfidoi gjithçka me talentin e saj. Për filmat saj kanë shkruar e shkruajnë aktualisht edhe mediat ndërkombëtare. Rasti konkret është ai i një shkrimi në revistën britanike SIGHT&SOUND, Janar 2013. Në këtë vlerësohet regjisorja shqiptare dhe filmi i saj “Tomka dhe shokët e tij.. me skenar të shkrimtarit të njohur Nasho Jorgaqi. Vlerësimi i kritikut Mark Cousins është i veçantë. Madje ai vë një edhe një titull ekzakltues: “Toka e panjohur”. Në këtë artikull shkruhet: “Në arkiv gjithashtu janë filmat e regjisores së madhe Xhanfise Keko.

Ajo nuk përmendet në botimin e besueshëm të Annete Cuhn “Bashkudhëtari i Grave në filmin ndërkombëtar”, ndonëse një rrugë kryesore në Tiranë ka marrë emrin e saj. Unë vajta në treg dhe bleva disa DVD nga 11 filmat e saj; pasi i pashë (të papërkthyer), e kuptoj përse ajo është aq e famshme në Shqipëri. Xhanfise Keko është një regjisore e madhe. Filmi i saj “Tomka dhe shokët e tij” është realizuar në vitin 1977, pas shkëputjes së Shqipërisë nga Kina (Hoxha u zemërua përse Kina mikpriti Niksonin). Ai flet për fëmijët, sikurse shumë nga filmat e tjerë të saj, dhe është më i freskët se “Vjedhësi i biçikletave”. Me subjektin gjatë Luftës së II Botërore, ai ndjek një grup fëmijësh, të cilëve nazistët u kishin zënë fushën e futbollit. Filmi ka një natyralizëm dokumentar, kuadratimi akademik është i bukur dhe mizanskena është mjeshtërore.

“Tomka dhe shokët e tij” të kujton filmin “Emili dhe dedektivët”. Portretet e fëmijëve janë edhe shkaku përse unë jam pjesë e projektit të kinemasë shqiptare. Në këto arkiva ka thesare që duhen shpëtuar dhe shpërndarë. Filmi “Tomka dhe shokët e tij” është në gjendje shumë të mirë, e pra çfarë na ka penguar të mos e shohim prej 40 vjetësh? Sigurisht, mentaliteti i mbyllur i Hoxhës, por edhe mungesa e përkthimit me subtitra, sikurse mungesa e interesit real të të huajve për këtë tokë të panjohur (terra incognita). „

Shkrimi u publikua sot (21.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)