Vlera e një vote

Vlera e një vote
Një votë e vetme ka një vlerë të pallogaritshme.Kjo vlerë nuk mund të konvertohet e të këmbehet me pak kg oriz, as me një Iphone, as me një vend pune. Kandidati i Partisë Socialiste, z. Musa Ulqini, humbi mandatin për pak vota; Kryetari i Bashkisë Pukë fitoi me një votë më tepër; gara e fundit e Bashkisë Tiranë, u nda me dhjetë vota reale; po shembuj të rezultateve të ngushta ka pa fund në realitetin tonë. Prandaj, të dashur mosbesues, prandaj të dashur të zhgënjyer, prandaj të dashur njerëz të drejtë, mos e humbisni rastin të jepni verdiktin tuaj për klasën politike shqiptare. Kjo jo vetëm për faktin se kjo kënaqësi është e rrallë, një herë në katër vjet, por për faktin se ato pak vota të pastra, mund të bëjnë të pavlefshme votat e papastra, ato vota të shitura e të blera. Numri i njerëzve që dinë e që duan, mund të shfuqizojë veprimet banditeske të kryera nga palët politike: lirimin e të burgosurve në ditët e votimit (këtë e vërteton fakti që disa prej tyre kanë rënë pre e atentateve, ndërkohë që duhej të ishin duke vuajtur dënimin); shpërndarjen pa kriter të parave buxhetore vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve (ose më mirë të themi shpërndarjen me një kriter të qartë zgjedhor, p.sh. reklamat, fondet për të përndjekurit apo ish-pronarët); përdorimin e fëmijëve në fushatën elektorale; mbledhjen e kartave të identitetit të palës kundërshtare (përveç dëshmive televizive, dëshmitë nga terreni janë edhe më tronditëse); marifetet me zhvendosjen e njerëzve nëpër lista dhe territore (kjo ka marrë përmasa biblike – njerëzit duken si fiset e zhvendosura të Izraelit); përdorimin e aseteve publike, si mjete (mjetet e ushtrisë), burime njerëzore (si p.sh. policët, informatorët, agjentët tatimorë e doganorë, e plot të tjerë); përdorimin e vendeve të punës (rasti i punësimit të dhjetëra romëve pikërisht një javë përpara fushate); përdorimin e hapësirave publike në mënyrë makabre; përdorimin e emigrantëve (autobusët janë më se evidentë); makinat me targa të huaja (për çka organet e sigurisë së vendeve partnere të NATO duhet të çelin një hetim, sepse mund të cenohet siguria kombëtare); lobingjet ndërkombëtare; e plot të tjera. Madje, shkelja e ligjit merr edhe aspekte qesharake kur për shkak të mendësisë blerëse që kanë kandidatët, arrijnë të prononcohen drejtpërdrejt në media, duke ndërhyrë me mjete financiare në zonat e tyre elektorale për të krijuar vota, kur ligji e thotë qartë se nuk mund të përdoret ky mjet, sepse është i dënueshëm penalisht – por kjo ndodh dhe organet përkatëse flenë gjumë. Po përtej analizës së fushatës, që shkon përtej çfarëdolloj parametri demokratik kemi dhe një DËSHTIM të dukshëm të KQZ. Institucioni që organizon zgjedhjet ka dështuar me tre elementë themelorë: së pari, ky organ duhej ta pushonte veprimtarinë e tij dhe të kalonte në ndjekje penale për shpërdorimin jo vetëm të fondeve publike në vlera kolosale (dështimi i leximit elektronik), po dhe të mos arritjes së një standardi më të lartë transparence zgjedhore, çfarë ka një vlerë të pallogaritshme; së dyti, ky organ nuk ka bërë asnjë fushatë mediatike për informimin e qytetarëve lidhur me votimin (përveç disa pak reklamave në TVSH, televizionin publik që publiku nuk e ndjek); së treti, ky institucion ka dështuar duke krijuar një precedent të rrezikshëm për fatin e zgjedhjeve, ku 10 mijë të verbër nuk janë garantuar që vota e tyre të jetë personale. Pra, është vetë KQZ që kërkon të bëhet votim familjar në vendin tonë. Ne për fat të keq, jemi një vend i NATO që kemi një problem serioz, si votimi familjar. Ky lloj votimi mund të shmangej përgjithësisht nga KQZ, po ky institucion nuk ka bërë asgjë të dukshme për ta shmangur atë. U mbetet organizatave të shoqërisë civile dhe vëzhguesve vendorë e të huaj që ta kenë në vëmendje, këtë plagë të rëndë, që deformon zgjedhjet dhe shpirtin e demokracisë. Votimi sipas Kushtetutës dhe ligjit është personal, dhe është e qartë: një kokë, një votë. Kur votohet në turmë, rrezikohet pikërisht blerja e votës, që kap përmasa të frikshme. Vota familjare është një tradhti e madhe ndaj qytetarisë dhe së ardhmes. Dikush mund të nxjerrë përfitime prej këtij akti, po këto përfitime janë krejtësisht afatshkurtra. Do të jenë pikërisht ata që nxisin dhe bien pre e këtyre proceseve shitblerëse që do ta vuajnë të parët. Ai që shtrembëron procesin, shtrembëron rezultatin, shtrembëron produktin dhe në fund shtrembëron ligjin. Po ne më shumë se sa votimin familjar, kemi gangrenë
VOTIMIN FISNOR. Kjo është makabre. Ato fise që shesin interesat me para, krijojnë mundësinë që këtë gjë ta bëjnë edhe njerëz të tjerë në të njëjtën kohë. Kjo ndyrje e procesit pastaj do bjerë mbi kurriz të këtyre njerëzve të papërgjegjshëm që tradhtojnë gjithë publikun. Dhe tradhtia po u instalua në një komb, do të shfaqet në vektorë të ndryshëm. Njerëzit e tradhtuar të tradhtojnë. Të dashur bashkatdhetarë e vëzhgues të huaj, ne kemi në dorë që ta parandalojmë sa të mundemi këtë proces bastard. Nuk duhet të ekzistojë një mënyrë shqiptare votimi. Ne duhet të votojmë si gjithë bota, nga Irani në SHBA. Vota ka vlerë kolosale. Të mos mendojmë se jemi vetëm. Kemi në krah partnerët tanë ndërkombëtare. E keqja mund të frenohet: pesë vota të pastra në fund, rrëzojnë qindra vota të dyshimta, dhe lënë jashtë vizës atë që duhet lënë jashtë.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës