SHKODËR - Vllaznia vijon punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, duke siguruar vazhdimësinë e disa prej emrave më të rëndësishëm të ekipit. Pas rinovimeve me trajnerin Edi Martini dhe drejtorin sportiv Vioresin Sinani, klubi shkodran ka zyrtarizuar zgjatjen e kontratave edhe me Sherif Kallakun, Lirim Kastratin dhe portierin Leon Pohls.

Mesfushori Sherif Kallaku ka firmosur një marrëveshje të re që do ta mbajë të lidhur me kuqeblutë deri në qershor të vitit 2027. I afruar sezonin e kaluar, Kallaku u shndërrua shpejt në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke dhënë një kontribut të vyer me 5 gola dhe 5 asistime në 38 paraqitje në kampionat.

Kontratën me Vllazninë e ka rinovuar edhe Lirim Kastrati, i cili gjithashtu do të jetë pjesë e skuadrës shkodrane deri në vitin 2027. Klubi, përmes njoftimit zyrtar, konfirmoi vazhdimin e bashkëpunimit me futbollistin, ndërsa i uroi edhe një rikuperim sa më të shpejtë nga dëmtimi i rëndë në gju që pësoi në muajin mars.

Vllaznia konfirmoi edhe për në sezon gardianin Leon Pohls. I afruar nga Shamrock Rovers një vit më parë, 29-vjeçari zuri vendin mes shtyllave duke luajtur në 35 ndeshje gjatë këtij sezoni, për ta mbajtur portën të paprekur në 16 ndeshje.