Vllaznia është rikthyer të udhëheqë kampionatin pas fitores minimale 0-1 me Kastriotin. Skuadra shkodrane, një javë pasi humbi vendin e parë, mori tre pikët falë golit në minutën e fundit të kapitenit Ardit Hoxha.

Rikthimi i Vllaznisë në krye erdhi edhe për shkak të disfatës së Laçit 1-2 kundër Tiranës kampione në fuqi. Kjo fitore ka dyfish vlerë për bardheblutë pasi i mban në garë edhe për kreun pavarësisht se me Vllazninë kanë 7 pikë diferencë.

Sakaq Kukësi e ka çuar në 6 numrin e ndeshjeve pa fitore në kampionat pasi sot është mposhtur 2-1 nga Bylisi. Për ballshiotët kjo ishte fitorja e dytë radhazi, pasi një javë më parë mposhtën Vllazninë në Shkodër.

Ndërkohë Skënderbeu ka fituar 1-2 përballjen e mbijetesës kundër Apolonisë, duke lënë fierakët në vendin e fundit.