VLORE- Ndotja e mjedisit në qytetin e Vlorës cilësohet katastrofike nga Agjencia Rajonale e Mjedisit.

Situata problematike pranohet edhe nga vetë drejtori i Agjencisë së Mjedisit, Geron Gurabardhi, i cili sqaron se shkak për këtë situatë janë edhe punimet e shumta që po bëhen në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

“Ndërtimet që po kryhen në kuadër të investimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë kanë ndikuar në rritjen e ndotjes në qytetin e Vlorës. Punimet që po bëhen nga firmat e kontraktuara nga bashkia po punojnë gjatë gjithë kohës, ndërsa në ndotjen e mjedisit ndikon gjithashtu edhe trafiku i rënduar”, u shpreh Gurabardhi.

Ndotja e ajrit në qytetin e Vlorës është shkaktuar fillimisht nga djegia e mbetjeve urbane në fushën e mbeturinave, tym i cili mbulon edhe qytetin.

Kreu i Agjencisë Rajonale të Mjedisit u bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse të marrin sëbashku masat për të zgjidhur këtë katastrofë mjedisore.
(eç/shqiptarja.com)