VLORE - Reshjet e ditëve të fundit e kanë përkeqësuar situatën në lagjen “10 korriku” në Vlorë, ku 22 familje jetojnë me rrezikun e rrëshqitjes së dherave mbi banesat e tyre.

Rrëshqitja e tokës në këtë zonë ka filluar që tre vite më parë, si pasojë e çarjes së tubacionit që furnizon me ujë qytetin bregdetar, por reshjet e fundit kanë vënë më shumë në rrezik jetën e banorëve.

Dy javë më parë, gjendja e tyre u inspektua nga prefekti i Vlorës dhe specialistë të Gjendjes së Emergjencave civile, por pavarësisht premtimeve deri tani askush nuk ka ndërhyrë. Kjo gjendje ka ngjallur panik tek banorët të cilët bëjnë apel të merren masa sepse situata mund të kthehet në tragjedi.

Shqetësimi i këtyre banorëve është bërë publik disa herë në media, por instancat përkatëse kanë vendosur të rrinë në heshtje përballë kësaj situate.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)