VLORË - Ka qenë ndërhyrja e Policisë së Vlorës ajo që ka parandaluar një krim të mundshëm në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në bulevardin Vlorë-Skelë të qytetit bregdetarë të Vlorës. Konflikti fizik mes dy grupeve është pikasur nga policia në vendin e quajtur “Aleksandria”.

Shtetasi Eusebio Bitaj, ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri tip “Pistoletë”, duke kërcënuar dy vëllezërit, K.H, 26 vjeç dhe I.H, 24 vjeç, ku gjatë konfliktit ka dëmtuar me qytën e pistoletës shtetasin K.H. Ky i fundit ndodhet në Spitalin Rajonal të Vlorës ku po merr mjekimin e nevojshëm. Sipas njoftimeve ai është jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, gjatë konfliktit fizik edhe Eusebio Bitaj është dëmtuar nga vëllezërit e mësipërm, me një mjet të fortë (tullë) në kokë, jashtë rrezikut për jetën.
 
Pas veprimeve proçeduriale policia ka arrestuar, Eusebio Bitaj, 23-vjeç, banues në Vlorë, i cili akuzohet për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi,mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”në publik.

Po ashtu ka nisur proçedimi penal në gjëndje të lirë kundrejt vëllezërve me iniciale K.H dhe I.H për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”.
 
Në cilësinë e provës materiale Policia ka sekuestruar: Një armë zjarri tip “Pistoletë TT”, një krëhër i mbushur me 7-fishekë (të cilat i përkasin shtetasit Eusebio Bitaj) dhe një automjet tip “Aud”, me targë: AA990LU (i shtetasit K.H.).
 
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)