Vlorë - Prej tre ditësh, qyteti i Vlorës nuk furnizohet me ujë të pijshëm. Një defekt i shkaktuar në linjën kryesore të transmetimit ka ndërprerë furnizimin, duke krijuar situatë problematike.

Institucionet e rëndësisë së veçantë, përfshirë edhe spitalin, po furnizohen përmes automjeteve të shërbimit zjarrfikës me qëllim vijimin e funksionimit, ndërsa qytetarët po blejnë ujë të ambalazhuar ose i drejtohen burimeve natyrore kryesisht në zonën e “Ujit të Ftohtë”.

Ujësjellësi i Vlorës vijon punën prej tre ditësh për riparimin e defektit, por presioni i lartë i linjës që furnizon qytetin shkakton sërish çarje të pjesëve të salduara. Edhe gjatë mbrëmjes së kaluar, tentativa e fundit dështoi, duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit normal me ujë.

Situata e krijuar ka bërë që specialistët e ujësjellësit të mendojnë për një zgjidhje tjetër, të qëndrueshme për të cilën po punohet, ndërsa sot u njoftua se furnizimi i qytetarëve që kanë nevojë do të bëhet përmes autoboteve deri në rikthimin e normalitetit.