Prej 4 ditësh qytetarët e Vlorës nuk po furnizohen me ujë për shkak të një defekti në tubin kryesor që furnizon depot e qytetit. Në këto pamje mund të shihni momentin kur shpërthen tubacioni, pas provës së parë për rregullimin e defektit.

Ndonëse punonjësit e Ujësjellës Kanalizimeve kishin ndërhyrë për të rregulluar tubin që të rikthehej furnizimi me ujë, për shkak të presionit të lartë tubacioni shpërtheu sërish dhe në pamje shihet momenti kur uji plas si shatërvan. Defekti nuk i përket linjës së re të ujësjellësit, por kësaj linje transmetimi që është pjesë e një projekti të viteve 2009–2010.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve Faluers Shoshi, tha se çarja e tubacionit erdhi si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Ai theksoi se tubi me diametër 1000 milimetra duhej të ishte gize ose çeliku dhe jo plastik.

Por, Bashkisë së Vlorës iu deshën 4 ditë që të vihej në lëvizje për të gjetur një zgjidhje. Sot vijnë me avion nga Turqia 3 pjesë që duhen për riparimin e rrjetit.