Vlorë, 11 tetor/ATSH-Harilla Koçi/.-Në kuadrin e 65 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Këshilli i Qarkut të Vlorës akordoi Titullin "Nderi i Qarkut" për Ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Ye Hao.
Me këtë rast, në sallën e Teatrit "Petro Marko" në këtë qytet, u organizua një ceremoni ku ishin të pranishëm qytetarë, deputetët Koço Kokëdhima, Valentina Leskaj, përfaqësues të Ambasadës së RP të Kinës në Tiranë.
Titullin "Nderi i Qarkut" për ambasadorin Ye Hao, e dorëzoi kryetari i Këshillit të Qarkut, Sadrit Danaj, i cili u shpreh mes të tjerash se, ky titull është vlerësim dhe mirënjohje për shtetin kinez, për investimet e realizuara veçanërisht në vitet e fundit, si dhe për kontributin që ka dhënë ambasadori Ye Hao, në forcimin e këtyre marrëdhënieve.
Nga ana e tij, ambasadori i RP së Kinës në Tiranë, solli vlerësimet e tij për popullin shqiptar dhe për historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve. "Ne, brezi ynë, kemi parë shumë filma shqiptarë dhe kam shumë dashuri për Shqipërinë dhe popullin shqiptar", u shpreh ai. Sipas tij, Shqipëria është një vend shumë mikpritës, gjë që ai e ka parë nga afër gjatë këtyre tri viteve gjatë vizitave që ka zhvilluar në zona të ndryshme.
 "Ne kemi dëshirë të investojmë në Shqipëri, kjo për faktin se Shqipëria është një vend shumë mikpritës", u shpreh zoti Ye Hao. Sipas tij, gjatë tre viteve të fundit më shumë se 1000 biznesmenë kinezë kanë qenë në Shqipëri për vlerësim, ndërkohë që shumë kompani kineze kanë dërguar përfaqësuesit e tyre për t'u njohur me kushtet e investimeve.
Në fjalën e vet, deputeti i Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima falenderoi Ambasadorin e RP të Kinës, për praninë e tij në këtë ceremoni. Ai vlerësoi nivelin e marrëdhënieve që ekzistojnë mes dy vendeve tona, historinë e këtyre marrëdhënieve, ndërkohë që u shpreh se Shqipëria ka përfituar mjaft nga ndihma bujare dhe e sinqertë e Kinës./a.g/