/ATSH-Harilla Koçi/.- Mjeshtrat popullorë të ndërtimit kanë hedhur bazat e konceptimit dhe zhvillimit të Vlorës moderne.
Themelet e ndërtimit të qytetit me profil perëndimor kanë nisur të hidhen në fundin e shekullit XIX dhe vitet e para të shekullit XX, çka përkon edhe me aktivitetin e një sërë emrash të njohur në fushën e ndërtimeve, të cilët kanë mbetur në historinë lokale të arkitekturës dhe urbanistikës.
Gjatë periudhës në fjalë, në Vlorë janë realizuar një sërë objektesh, një pjesë e të cilave janë po aq funksionale edhe sot dhe përcjellin elementët e një tradite të pasur në këtë drejtim në qytet.
Sipas studiuesit Vangjel Loli, ndërtimet e para moderne në Vlorë, janë realizuar me punën e palodhur të mjeshtrave popullorë të ndërtimit, të cilët kanë reflektuar përvojën shumëshekullore dhe aftësitë ndërtuese të kultivuara hap pas hapi në këtë fushë.
Mjeshtrat e ndërtimit që kanë kryer aktivitetin e tyre në qytetin bregdetar janë me origjinë nga krahina të ndryshme të Vlorës, por edhe zona të tjera të vendit, ku spikasin Golloborda (Dibër) dhe Gorë Opari (Korçë)."Grupe muratorësh të organizuar, nën drejtimin e një kryemjeshtri, shtegtonin nga vendbanimet e tyre prej muajit maj deri në tetor për të punuar në zona të ndryshme të vendit", sjell në vëmendje Loli, praktikën e pothuajse 100 viteve më parë, e cila ishte e tillë edhe për mjeshtrat që punuan në Vlorë. Procedurat parashikonin që, kryemjeshtri kontaktonte me porositësin, përcaktonte vëllimet e punimeve që do të kryheshin, bazën materiale të nevojshme, vlerën dhe kushtet e punës. Ndërkohë, vetë kryemjeshtri udhëhiqte punimet dhe zgjidhte problemet më të vështira, duke u përfshirë edhe vetë në këto procese.
Mjeshtri popullor, që merrte titullin "usta", ishte njëherësh krijues dhe realizues i veprës arkitektonike. Ai njihte në mënyrë të përsosur nevojat e shtresave të ndryshme të popullsisë, mënyrën e organizimit të të jetuarit brenda banesës, çka e bënte atë të gjente zgjidhjet më të përshtatshme funksionale dhe arkitektonike të këtyre banesave. Në këto kushte, objektet e banimit në Vlorë janë rrjedhojë dhe reflektim i mentalitetit të jetës dhe organizimit të saj.Sipas Lolit, mes karakteristikave të veçanta të punës së mjeshtrave popullorë, ku përfshihen Nuredin Sinani, Nustret Llupa, Islam Beshiri, Ahmet Selimi etj, ishte njohja e mirë e materialeve rrethanore, cilësia e tyre, e karakteristikave teknike dhe mënyrës së përpunimit. Kjo, sepse materialet rrethanore kanë ushtruar ndikim të rëndësishëm në zgjidhjet arkitektonike dhe konstruktive të ndërtimeve popullore në këtë qytet.
Në funksion të realizimit të estetikës së lartë të objekteve të banimit dhe atyre me karakter social dhe tregtar, mjeshtrit popullorë sipas studiuesit vlonjat, kanë aplikuar elementë të dobishëm që ndërtesa të ishte jo vetëm funksionale, por dhe e bukur, e pëlqyeshme nga forma, me raportet e duhura vëllimore.
Rrjedhojë e kësaj pune dhe nivelit të lartë të mjeshtrave popullorë është realizimi i objekteve të njohura, siç janë ish-sarajet e Vlorajve në qendër të qytetit (sot Lulishtja e Flamurit), shtëpitë e Sharrajve, që u shembën në fillim të viteve 1980-të, në fasadën e të cilës ishte vendosur sahati diellor i qytetit, realizuar gjithashtu nga mjeshtrat popullorë. Në këtë listë objektesh, përfshihen banesat dykatëshe në lagjen "Topana" dhe në Lagjen e Re (mes të cilave ato të familjes Demiraj), banesa dy katëshe në lagjen "Muradie", shkollat nr. 1 dhe nr.2, godina ku ka ushtruar aktivitetin klubi patriotik "Labëria", banesa dy katëshe në lagjen "Vrenez", etj.
Kështu, mjeshtrat popullorë të ndërtimit kanë mbetur me punën e tyre në profilin perëndimor të qytetit.
/Shqiptarja.com