Vlorë – Një 46-vjeçar i cili dyshohet se ka kërcënuar me armë gjahu gruan dhe dy vajzat e tij është arrestuar ditën e sotme nga Forcat e Posaçme “Shqiponja”, të policisë.
46-vjeçari i identifikuar me inicialet “Sh.Xh., ka tentuar të arratiset me motoçikletë sapo ka parë forcat e policisë, por pa sukses.
Blutë bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen “15 Tetori”, ku dhe banonte familja.
Ndër të tjera raportohet se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut çifte me të cilën 46-vjeçari kanosi familjarët, si dhe motoçikleta me të cilën tentoi të largohej.
“Pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e sotme, se një shtetas po kanoste për jetën, me armë gjahu çifte, bashkëshorten e tij dhe dy vajzat e tyre, në banesë, në lagjen “15 Tetori”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” dhe të Komisariatit të Policisë Vlorë menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta nga Policia, është kapur në flagrancë në tentativë për t’u larguar me një motoçikletë, shtetasi Sh. Xh., 46 vjeç”,-njofton policia.
Ndërkohë, vijon puna e grupit hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për referimin e materialeve procedurale në Prokurori.
Komente









