Vlorë, 26 nëntor/ATSH-Harilla Koçi/.- Policia e Vlorës arrestoi në kushtet e flagrancës gjatë 24 orëve të fundit, katër persona që akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, ndërkohë që shpalli në kërkim tre të tjerë.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, Nazmi Boci, 50 vjeç, Lorenc Lulaj, 30 vjeç, Filip Lulaj, 43 vjeç nga Vlora, si edhe Perlat Gacaj, 55 vjeç nga fshati Qeparo, u arrestuan në kushtet e flagrancës, për shkak se kishin kryer lidhje të paligjshme për të furnizuar me energji elektrike banesat e tyre.
Po ashtu, policia shpalli në kërkim tre persona të tjerë, në banesat e të cilëve u konstatuan lidhje të paligjshme për furnizimin me energji elektrike.
Aksioni i policisë së Vlorës në mbështetje të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, për të parandaluar dhe bllokuar abuzimet me energjinë elektrike, është intensifikuar. Një ditë më parë u arrestuan për shpërdorim detyre tre ish punonjës së OSHEE-së, që favorizonin abuzuesit me energjinë elektrike.
Aktualisht, mësohet se, kjo është shoqëruar edhe me rritje të ndjeshme prej më shumë se 40 përqind, të nivelit të arkëtimeve për energjinë e konsumuar. /a.ke/











