/ATSH-Harilla Koçi/.-Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, mbështeti krijimin e 20 biznesve dhe sipërmarrjeve për komunitetet rome e egjiptiane në qarqet e Vlorës dhe të Beratit.

Këto aktivitete u financuan në fazën "start up", në kuadrin e projektit SSIREC - Supporting social inclusion of Roma and Egyptian Communities in Vlora and Berat(Suport për minoritetet etnike, rome dhe egjiptiane, SSIREC), një projekti i financuar me fonde të UNDP dhe që synon të krijojë modele të suksesshme për formimin profesional të këtyre komuniteteve dhe përfshirjen e tyre në tregun real të punës.

Falë përvojës së saj, Agjensia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, që prej vitesh është duke implementuar strategjinë « Shoqërim drejt punësimit » i grupeve me kapacitete profesionale, por edhe kushte social ekonomike të vështira, drejt botës së punës, rimori këtë projekt të implementuar në qarqet e Vlorës dhe të Beratit.
Drejtoresha e Agjensisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, Mirela Koçi, thotë për ATSH-në se, "ky është një projekt i integruar që implementohet nga UNDP me fonde të Komunitetit Evropian, ku AULEDA, është nënkontraktor për një komponent të veçantë që është ai i nxitjes së sipërmarrjes dhe krijimi i modeleve të qëndrueshme të kësaj sipërmarrjeje".

87 të rinj, nga të cilët 50 përqind të këtij grupi ishin femra , u bënë pjesë e këtij programi që startoi me një trajnim të 20 të rinjve nga të dy qarqet, të cilët u përgatitën si trajnues. Prej tyre u përzgjodhën katër persona që u punësuan në këtë program, në pozicionin e koch-it (trajnues).

Si rezultat i një procesi të kujdesshëm e gjithëpërfshirës, me tej u trajnuan 40 të rinj në qendrat e formimit profesional, në profesione të ndryshme të kërkuara nga tregu, por edhe në përputhje me nivelin arsimor të tyre. Në vazhdimësi të kualifikimit, ata kryen edhe stazhe përgatitore pranë bizneseve respektive, sipas profileve që kishin zgjedhur.
Në përfundim të këtij procesi shumëmujor, u mbështetën me plane përkatëse biznesi dhe u financuan, 20 subjekte qysh në fazën fillestare « start up », respektivisht nga 10 në secilin prej dy qarqeve në fjalë. Në këtë mënyrë, personat e përfshirë në këtë program konkretizuan në praktikë njohuritë e fituara, por në përputhje edhe me traditën e komuniteteve që ata përfaqësojnë, duke synuar sigurisht krijimin e bizneseve fitimprurëse.

Mes tyre përfshihen ngritja e bizneseve të tilla, si studio rregjistrimi me këngë e valle rome, lavazho për automjetet, një sipërmarrje në sektorin e ndërtimit, ferma blegtorale, të fokusuar në zonën e Llakatundit dhe Moravës, u krijuan dhe u mbështetën biznese në sektorin e parukerisë, estetikës, të animimeve për organizimin e festave dhe ditëlindjeve, prodhimin e ëmbëlsirave. Po ashtu, mjaft i veçantë ishte edhe krijimi i një biznesi për realizimin e produkteve me materiale të ricikluara, të sjella në mënyrë inovative përmes dizajnit dhe të promovuara përmes një portali, duke shfrytëzuar mjetet e teknologjisë së informacionit.