VLORE - Në kuadër të operacionit “Sfida 3”, policia e Vlorës ka bërë të mundur arrestimin e një grupi kriminal prej 9 personave dhe një e ka shpallur në kërkim, me akuzën e vjedhjes me armë, të kryer në bashkëpunim.

Efektivët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda, pas një hetimi dy mujor ka bërë kapjen dhe arrestimin e 9 personat, Daniel Qepeku 22 vjeç, Brisild Bajram Ismaili 21 vjeç, Jurgen Ylli Zotaj, 18 vjeç, Sami Halil Balla 18 vjeç, Lusien Shpëtim Abedini 18 vjeç, E. L. 17 vjeç, Xh. N. 17 vjeç, E. H. 17 vjeç, të gjithë banues në Vlorë.
Është shpallur në kërkim shtetasi R. R. 16 vjeç, banues në Vlorë.

Sipas të dhënave të Policisë së Vlorës këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin për një periudhë kohore të ndryshme kanë vjedhur me armë në bashkëpunim karburante, pika bastesh dhe kazino.

“Deri tani janë siguruar prova shkencore se personat e mësipërme janë autorët e
1. vjedhje me armë në bashkëpunim të pikës së lojërave te fatit “ECOBET” në lagjen “Osman Haxhiu”.
2. vjedhjes me dhunë në bashkëpunim e shtetasit A. Z., në lagjen “Hajro Cakerri” të cilit i kanë marrë të gjitha sendet personale.
3. Vjedhjes me armë në bashkëpunim të pikës së karburantit “ALPET” në lagjen “Osman Haxhiu”.
4. vjedhjes me armë në bashkëpunim e kazinosë “Electronica KAZINO” në lagjen 28 Nëntori”, thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës.

Në cilësinë e provës materiale janë kapur dhe sekuestruar, armë zjarri tip automatik model 56 (kallashnikov), automjeti tip Mercedes-Benz me targa VL 3686 C, të cilin këta shtetas e kanë përdorur për kryerjen e grabitjeve, 8 aparatet, një sasi fishekësh 7.62 mm, një armë e ftohtë thikë, një kacavidë, maska, doreza plastike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale “Vjedhje me armë” dhe “Vjedhje me dhunë”, të kryera në bashkëpunim parashikuar nga nenet 139, 140 dhe 25 të Kodit Penal.

armet vlore
(Në foto armët e sekuestruara nga policia)

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)