Policia e Vlorës ka arrestuar sot katër persona të shpallur në kërkim si të dyshuar për vepra të ndryshme penale, ndërkohë që ka bllokuar 8 automjete luksoze, të cilat qarkullonin me mangësi në dokumentacionin shoqërues.

 Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, në vijim të operacionit të koduar "Transparenca", që ka si synim arrestimin e personave të shpallur në kërkim dhe atyre që mbajnë armë pa leje, janë ushtruar kontrolle të ndryshme në qytet, në automjete që qarkullojnë me xhama të errët,  lokale dhe pika bastesh sportive.

Si rrjedhojë është arrestuar 25 vjeçari Çelnik Kapaj, i cili dyshohet të jetë bashkeautor i grabitjes me armë në qendrën tregtare në Fier pak muaj më parë, ku ka përvetësuar 3 milionë lekë. Ai është prangosur gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal në qytetin e Vlorës.

Policia ka prangosur 22 vjeçarin Hekuran Gërbi, i cili ishte shpallur në kërkim nga Policia e Korçës, pasi më datë 09.12.2014 është ndaluar nga policia  në Pogradec, teksa drejtonte një automjet, brenda të cilit u gjetën 54 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Gërbi arriti t'i shpëtonte policisë, por sot është ndaluar duke qarkulluar me një automjet në bulevardin Vlorë-Skelë.

 Uniformat blu të Vlorës kanë ndaluar edhe 22 vjeçarin Halil Likaj dhe 49 vjeçarin Fatmir Sulo, të cilët akuzohen respektivisht për kultivim të lëndëve narkotike dhe vjedhje.

 Gjithashtu, nga strukturat e policisë së Vlorës janë shoqëruar edhe 20 persona të ndryshëm në kuadër të hetimeve, si dhe janë bllokuar 8 automjete, të cilat kishin mangësi në dokumentacionin shoqërues. Mes automjeteve të bllokuara përfshihen BMW X5, "Audi A6", "Land Rover" me targa AA700IZ, "Range Rover"  me targa AA080JB, "Mercedes-Benz" me targa AA622KD, BMW X6 me targa AA606HY, "Audi A6" me targa AA591GL, "Wolks. Golf " me targa AA252AL.

ATSH