Vlorë, 19 nëntor/ATSH-Harilla Koçi/.- Policia e Vlorës arrestoi pasditen e të mërkurës një 42- vjeçar nga ky qytet, i cili ishte shpallur person në kërkim, pasi dyshohet të jetë autor i një vrasjeje të kryer 3 muaj më parë.
Burime zyrtare të policisë bënë të ditur për ATSH-në se, Aleksandër Musaraj, u arrestua gjatë një operacioni që u ndërmorr pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Ngjarja për të cilën akuzohet 42- vjeçari ndodhi në datën 10 gusht të këtij viti në një nga lagjet e qytetit të Vlorës, ku mbeti i vrarë i riu Endri Yzeiri. Sipas policisë, Musaraj e kishte qëlluar atë me armë zjarri pistoletë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. /a.ke/