Anija e sekuestruar e kontrabandes se naftes ne Vlore. Foto: Harilla Koci
VLORË, 5 mars/ATSH-Harilla Koçi/ -Policia e Vlorës arrestoi të enjten një 43 vjeçar nga ky qytet, i cili ishte shpallur në kërkim i dyshuar për kontrabandë karburantesh.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, Astrit Laze, pronar i anijes "Karaburuni" u arrestua në kuadër të një operacioni që ka nisur më shumë se një muaj më parë dhe që ka si synim bllokimin e kontrabandës së karburanteve nga Italia në Vlorë.
Në kuadër të këtij operacioni policia e Vlorës arrestoi në datën 31 janar të këtij viti me të njëjtën akuzë, 53 vjeçarin Mondi Veshaj, pronar i një pike të tregtimit të karburanteve, ndërkohë që sekuestroi anijen "Karaburuni" me të cilën dyshohet se kontrabandohej naftë nga Italia.
Anija e sekuestruar e kontrabandes se naftes ne Vlore. Foto: Harilla Koci
Ndërsa, në datën 25 janar të këtij viti, policia bllokoi dhe sekuestroi në pikën e tregtimit të karburanteve "Kastrati", në fshatin Sherrishtë, 7 km në lindje të Vlorës, 3500 litra naftë, e cila ishte importuar në mënyrë ilegale nga Italia. Për këtë qëllim, uniformat blu kishin prangosur edhe shtetasit Eduart Alliaj e Levzat Canaj. Gjatë ecurisë së procesit hetimor, sipas policisë, u siguruan prova që bëjnë përgjegjës edhe pronarin e kësaj pike karburanti, 53 vjeçarin Veshaj.
Gjatë kësaj periudhe, vijuan hetimet për të zbardhur skemën e kësaj kontrabande të tregtimit të naftës pa akcizë, si dhe identifikimin e prangosjen e personave të tjerë që dyshohej se ishin përfshirë në këtë aktivitet.
Gjithashtu, u dërguan për analiza edhe kampione të naftës së sekuestruar, për shkak se cilësia e saj ishte jashtë parametrave që parashikohen për tregtim dhe e dëmshme për automjetet.
Të arrestuarit në këtë operacion, akuzohen për veprën penale "Kontrabandë të mallrave për të cilat paguhet akcizë"./m.m/










