VLORE- Gjykata e Shkallës së Parë ka lënë në burg autorin e vrasjes së Armando Rrapajt, Novruz Merkaj.
 
20-vjeçari është shfaqur i penduar sot para trupit gjykues duke deklaruar se krimin e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes pas sherrit që kishte pasur me viktimën.
 
"Jam penduar për krimin, por e vrava në kushtet e vetëmbrojtjes" mësohet se është shprehur ai para gjykatës.
 
Familjarë të autorit jashtë kamerave kanë dhënë dhe versionin e tyre të kësaj ngjarje, ku ata janë shprehur se konflikti ka nisur pasi viktima ka ngacmuar bashkëshorten e Klevis Merkajt.
 
Për të sqaruar këtë situatë Klevis Merkaj dhe nëna e tij janë përfshirë në një konflikt me viktimën ku më pas ka degraduar në dhunë fizike.
 
Novruz Merkaj sipas tyre ka rastisur te ngjarja, ku nëna dhe vëllai i tij janë qëlluar me mjete të forta nga viktima.
 
Ata shprehen se 20 vjeçari në mbrojtje të familjarëve të tij mësohet se ka marrë thikën ka qëlluar mbi Armondo Rrapaj i cili gjeti vdekjen nga plaga e marrë në zemër. Dosja ka kaluar në gjykatë për zbardhjen e mëtejshme të kësaj ngjarje.

dy.b/shqiptarja.com