Vlorë-BE-ja mbështet krijimin e një network-u për kërkimin shkencor dhe inovacionin në Rajonin e Adriatikut. Projekti SMART INNO (Network smart dhe klastera të qëndrueshëm për inovacionin), ka si synim rritjen e kompeticionit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme(SME), si dhe të qendrave të kërkimit e të zhvillimit në Rajonin e Adriatikut. Ky është një projekt IPA Strategjik, "lead partner" i të cilit është provinca e Rimini t(Itali). Janë 18 partnerë nga 8 shtete pjesëmarrëse, Itali, Greqi, Bosnje, Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, Slloveni dhe Serbia. Synimi kryesor i këtij projekti është që të nxisë e të zhvillojë një sistem "smart" rrjetesh, për monitorimin dhe forcimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, në mënyrë të veçantë dhe me focus, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me synimin tjetër për rritjen e kompetivitetit dhe sigurisht edhe për t'i suportuar këto SME në një rritje të qëndrueshme, përmes përdorimit të instrumentave financiarë dhe skemave të udhëheqjes dhe të përmirësimit të investimeve. Dhe, nga ana tjetër, duke theksuar në mënyrë të veçantë forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar midis të gjitha vendeve të Adriatikut.
Drejtoresha e Agjensisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, Mirela Koçi, thotë për ATSH-në se, krahas përpjekjeve për nismat, strategjitë dhe politikat në nivel kombëtar në të gjitha vendet për të rritur potencialet inovative dhe në të njëjtën mënyrë për të patur një kohezion rajonal të të gjithë Rajonit të Adriatikut të zhvillimit të këtij sektori, projekti synon të kapërcehen një sërë vështirësish që janë të natyrës objektive, ose subjektive.  Ky projekt shfaqet në disa segmente kryesore, secila me pikësynimet e veta. Mes tyre përfshihen, mbështetja e rritjes së qëndrueshme duke përmirësuar kompeticionin, krijimin dhe ndërtimin e mekanizmave të nevojshëm për një "smart cluster", duke promovuar SME-të, duke transferuar teknologji, apo njohuri dhe, në të njëjtën kohë, duke krijuar një "Trans Adriatik Netëork" midis institucioneve të kërkimit shkencor dhe të inovacionit, SME-ve dhe inkubatorëve të biznesit, duke futur edhe eksperienca e praktika më të përparuara, sikundër është ajo e "bussines angels"(engjej biznesi), bizneset që ofrojnë 50 përqind të kapitalit dhe ekspertizën e nevojshme.
 Nga ana tjetër, ky projekt ka tre shtylla kryesore të fokusuara në fondin social për inovacionin, në "laboratorët e zhvillimit njerëzor", në laboratorë të fabrikimit, ose të inkubimit të bizneseve(krijimit të biznesve të një teknologjie të re), si dhe në qendrat e kërkimit shkencor dhe të transferimit të teknologjive. Projekti ka nisur me një analizë të gjendjes aktuale të situatës së strategjive për zhvillimin e inovacionit dhe të kërkimit shkencor dhe vënien e këtij komponenti në funksion të SME-ve, ndërkohë që do të vazhdojë me identifikimin e nismave konkrete, pikave të dobta, me synimin që në mënyrë shumë koherente, në të gjithë zonën e Adriatikut të realizojmë plotësimin e vështirësive që shfaqen në këtë proces. Për këtë, në secilin prej vendeve të përfshira në projekt, do të implementohen projekte pilot që do të kenë në focus trepilarët, ose shtyllat që u përshkruan më sipër.
Agjensia e Zhvillimit Ekonomik Loka l(AULEDA), është partneri i vetëm  në këtë projekt për Shqipërinë dhe në bashkëpunim shumë të ngushtë me Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike, me universitetet, me qendrat e kërkimit shkencor, do të realizojë një sërë aktivitetesh që do të nisin me kapitalizimin e nismave dhe projekteve të realizuara në vitet paraardhëse, në fokus të të cilave ka qenë inovacioni, kërkimi shkencor dhe transferimi i teknologjisë, të fokusuara në tre drejtime kryesore. Kjo, në mënyrë të veçantë në skemën e fondit të garancisë për mbështetjen e bizneseve, kapitalizimin e rezultateve të projektit IPATECH, që synonte përhapjen tek SME-të të një teknologjie të përparuar në miniaturë dhe, një nismë shumë e mirë do të ishte ajo e promovimit të një "bussines angels" në Shqipëri dhe krijimin e një strukture të tillë, për herë të parë në vendin tonë.
"Bussines angels", janë një grup biznesesh  të cilat shfaqin një ndjenjë të lartë përgjegjësie sociale dhe tentojnë të ofrojnë ekspertizën dhe mjetet e tyre financiare në mbështetje të ideve inovative. Një model i tillë është shumë i përhapur në vendet e Evropës Perëndimore. Sipas këtij modeli, biznese me një përgjegjësi të lartë sociale zhvillojnë çdo vit një proces të ideve të reja inovative të ofruara nga ana e biznesmenëve të rinj në formën e një kompeticioni. Nga ky kompeticion, ata përzgjedhin idetë më innovative për t'i mbështetur me mjete financiare dhe asistencë teknike, për një periudhë 2-3 vjeçare.  Përmes këtij projekti, ky model do të promovohet dhe do të implementohet për herë të parë në Shqipëri. /ATSH/