Në këtë ngjarje ka mbetur dhe një person tjetër i plagosur. Ngjarja komplekse ka ndodhur mëngjesin e së shtunës rreth orës 06:00 në Vlorë, ndërsa sipas policisë që ka zbardhur ngjarjen, viktimë e këtij aksidenti është Albert Koçiaj, 29 vjeç, ndërsa i plagosur është kushëriri i tij, Amarildo Koçiaj, 19 vjeç.
Policia ka bërë të ditur se, makina tip fuoristradë ishte duke u ndjekur pasi dyshohej se personat që ndodheshin në të, po kryenin veprimtari kriminale.
Gjatë hetimeve dhe kqyrjes së automjetit të djegur, sipas policisë ka rezultuar se bëhet fjalë për një makinë tip "Foristradë", ngjyrë gri, pa targa; ndërsa gjatë kontrollit nga strukturat e policisë është gjetur një sasi lëndë narkotike e dyshuar canabis sattiva, me peshë 520 gramë.
Dy kushërinjtë, kanë qenë duke udhëtuar së bashku me mjetin tqë drejtohej nga shtetasi Albert Koçiaj dhe në orët e para të mëngjezit, në afërsi të fshatit Vranishtë, në vendin e quajtur “Ura e Kaurit“, mjeti ka dalë nga rruga, ku si pasojë janë aksidentuar dy të rinjtë. Të rinjtë janë larguar nga vendi i ngjarjes për të fshehur ngjarjen e ndodhur, por 29-vjeçari ka humbur jetën më pas. Ndërsa 19-vjeçari, Amarldo Koçiaj është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
"Pas aksidentit shtetasit e mësipërm janë larguar nga vendi i aksidentit pa bërë asnjë njoftim në Komisariatin e Policisë Vlorë, duke shkuar në vendbanimin e tyre në fshatin Varibob, Fier. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar rëndë shtetasi Albert Koçiaj, i cili më pas ka gjetur vdekjen. Në vijim të hetimeve të kryera ka rezutuar se rreth orës 05:00, të datës 04.01.2014, nga forcat e policisë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, i është dhënë shenjë për të ndaluar një automjeti tip Fuoristradë ngjyrë gri, i cili nuk ka qëndruar dhe në Tepelenë këto forca ndërprenë ndjekjen, pasi mjeti u humbi nga drejtimi, ku të dhënat e këtij mjeti përputhen me mjetin e gjetur në fshatin Vranishtë", thuhet në njoftimin e policisë.
Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë kanë ndaluar shtetasin Amarildo Koçiaj, ndërkohë materialet procedurale për këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e Narkotikëve” dhe ”Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen”, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 290/2 të Kodit Penal.
Lajmi fillimisht u publikua më 04.01.2014, ora 16:45.
Redaksia online
(e.s/ac/shqiptarja.com)