Vlorë, 5 dhjetor/ATSH-Harilla Koçi/.-Biznesi italian, që është i pranishëm prej vitesh në Vlorë dhe zona të tjera të jugut të vendit, është shndërruar në një faktor të rëndësishëm për zhvillimin e këtij rajoni dhe në një mundësi reale për rritjen e kapaciteteve të punësimit, të perspektivës dhe në forcimin e bashkëpunimit mesItalisë dhe Shqipërisë.
Kjo u theksua edhe në një takim të zgjeruar që u zhvillua në mjediset e "Petrolifera Italo-Shqiptare", në bregdetin e Vlorës, me praninë e sipërmarrjeve dhe shoqërive italiane dhe italo-shqiptare që veprojnë në Qarkun Konsullor të Vlorës. Në këtë takim, që organizohej nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, Konsulli Stefano Bergesio, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë Italiane në Shqipëri etj. Qëllimi i takimit ishte forcimi i mëtejshëm i prezencës së Sistemit Italian në Jug të Shqipërisë dhe mbështetja e aktiviteteve sipërmarrëse dhe shoqërive italiane e italo-shqiptare që operojnë në këtë zonë.
Ambasadori Gaiani, e cilësoi këtë takim një event, për shkak të impaktit dhe të rëndësisë që ka prania e biznesit italian në Shqipëri dhe veçanërisht në Vlorë.
Ai tha se, takime dhe bashkëbisedime të tilla me sipërmarrës italianë, duhet të zhvillohen edhe në zona të tjera të vendit, përveç Tiranës. "Është shumë e rëndësishme që takime të tilla t'i shtrijmë edhe në Vlorë edhe në qytete të tjera, sepse nuk është vetëm Tirana ku është i pranishëm biznesi italian", theksoi Gaiani. Ai tha se, roli i Dhomës së Tregtisë Italiane është dhe duhet të jetë shumë i rëndësishëm në shtimin e pranisë së kapitalit italian në Shqipëri, në zhvillimin dhe ridimensionimin e asaj që ai e cilësoi "Sistemi Italia". Dhomat e Tregtisë Italiane, sipas tij, duhet të funksionojnë si një "sistem kapilar" dhe për këtë do të kenë gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e nevojshme nga Ambasada Italiane dhe Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë.
Në këtë drejtim, diplomati italian vuri në dukje se, me mjediset e reja të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, do të krijohen kushte të përshtatshme që ajo të shndërrohet në një pikë mbështetjeje dhe në një referencë të problematikave që kanë sipërmarrësit italianë në këtë zonë. Për këtë qëllim, sipas tij, do të krijohet një mjedis i posaçëm për bashkëbisedimin dhe bashkëpunimin me sipërmarrësit, çka do të bëjë që roli i Konsullatës edhe në këtë drejtim të shkojë në dimensionin e duhur.
Kapitali italian në rajonin e Vlorës, përfaqësohet nga subjekte të njohura siç është Petrolifera Italo-Shqiptare, Banka Intesa San Paolo, Veneto Bank, Marina Orikum, dhjetra subjekte që operojnë në fushën e prodhimit të konfeksioneve, etj. /a.ke/









