Konsullata e Përgjithshme e Italisë ne Vlore organizoi një ceremoni festive për përvjetorin e Festës së Republikës, me pjesëmarrjen e personaliteteve të jetës publike, shoqërore e politike nga rrethet Vlorë, Sarandë, Fier, Berat, Gjirokastër, Lushnjë, ku shtrin aktivitetin përfaqësia diplomatike e vendit fqinj.
Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Stefano Bergesio, në fjalën e vet u ndal tek rëndësia që ka në historinë e Italisë, festa e Republikës dhe tek dimensionet e miqësisë mes dy popujve e vendeve tona.
Sipas Bergesios, miqësia mes Italisë dhe Shqipërisë i ka rrënjët në shekuj dhe e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai tha se, aktualisht marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes dy vendeve dhe popujve tanë janë të shkëlqyera. "Festa e Republikës e Italisë, është një moment i rëndësishëm për të bërë bilancin e këtij bashkëpunimi të shkëlqyer që shtrihet në të gjitha fushat", u shpreh Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë.
Të pranishmit, mes të cilëve drejtues të pushtetit vendor, të institucioneve lokale, përfaqësues të subjekteve politike, të shoqërisë civile, të komuniteteve fetare, kandidatë për krerë të bashkive në zgjedhjet e 21 qershorit, uruan për festën kombëtare të vendit fqinj. Pjesë e dekorit të festës ishte edhe një tortë e madhe, e dizajnuar me ngjyrat e flamurit italian.
Vendi i zgjedhur për organizimin e kësaj feste, kompleksi turistik i jahteve në Orikum, përfaqëson gjithashtu një simbolikë të veçantë, atë të një investimi të sukseshëm të biznesit të vendit fqinj në Vlorë.
Festimi i përvjetorit të Republikës së Italisë në Vlorë është shndërruar tashmë në një traditë. //atsh//