VLORË - Aksi nacional i Llogarasë i cili lidh Vlorën me Jugun e vendit, ka pësuar dëmtime të rënda në disa segmente të tij duke u bërë shkak për aksidente.

 Sikurse shikoni në këto pamje të fokusuara nga Televizioni A1Report, erozioni i cili është karakteristike për këtë zonë ka shkaktuar rrëshqitje të rrugës së Llogarasë duke dëmtuar barrierat mbrojtëse, shtresat asfaltike deri në dëmtimin e njërës prej korsive të saj.

Deputeti i kësaj zone Koço Kokëdhima ka premtuar se së shpejti nisur edhe nga projektet e parashikuara nga qeveria, situata do të ndryshojë. Sipas tij pjesë e projekteve të qeverisë është jo vetëm Llogaraja, por edhe zona të tjerë të bregut të Vlorës.
 
“ Ka shumë projekte për zonën e Vlorës ju jeni në dijeni për disa, për Lungo Maren psh, ka projekte gjithandej edhe në bregdet, në vitin e ardhshëm do të kemi shumë punë disa fusha edhe në infrastrukturë edhe në bujqësi, edhe në zonën e Vranishtit do kemi investime, rruga Kuç-Himarë do të fillojë të hapet sivjet , shumë projekte në bregdetin e Himarës do të zhvillohen edhe këtu në Vlorë gjithashtu.”- u shpreh  Koço Kokëdhima, deputet i Vlorës .
 
Sikurse shihet, nëse rrëshqitjet e dheut do të vijojnë, qarkullimi mund të bllokohet, ku udhëtarët dhe turistët do ta kenë të vështirë për të vizituar zonat më të bukura të bregdetit të Jugut.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)