VLORE -  Dy orë makthi këto në lagjen “10 Korriku” të qytetit të Vlorës, ku me një shishe benzine në dorë 45-vjeçari Skënder Musai, nga kati i 11-të i një pallati në ndërtim kërcënoi se do të hidhej nëse nuk zgjidhej problemi i tij i pronësisë. Ai pretendon se sot Policia Bashkiake i ka shkatërruar pa të drejtë dyqanin tij, ndërsa tentoi t'i prishë edhe shtëpinë, të shprehura nga Policia si objekte pa leje. Ka qenë Prokurori i Vlorës Dorjan Tafilaj i cili ka bërë të mundur që pas ankthit të përjetuar të negociohej me Musain, duke realizuar zbritjen e 45-vjeçarit nga kati i 11-të ku kërcënonte se do të hidhej.

Televizioni A1 REPORT! paraqiti LIVE momentin kur Skënder Musai po zbriste nga shkallët e këtij pallati. Në një bisedë telefonike në transmetim të drejtëpërdrejtë me gazetaren Ola Bruko në studion e lajmeve të televizionit A1 REPORT!, i përlotur 45-vjeçari tregoi se çfarë e shtyu drejt këtij akti ekstrem dhe negociatën e arritur me prokuronin e Vlorës. Musai rërfeu LIVE teksa zbriste nga lartësia e këtij pallati se Prokurori i premtoi se do të vëzhgonte me vëmendje dokumentacionin e tij, dhe se në parim i dha të drejtë për problemin që kishte. Teksa 45-vjeçari zbriste shkallët, rreth tij dëgjoheshin të qarat e tij dhe të familjarëve që e prisnin me ankth.