VLORË - Përplasen përsëri linjat e trageteve në Portin e Vlorës për oraret e ankorimit në kalatë. Kompania “Red Star” ka ndeshur përsëri në të njëtin problem si ai i dy ditëve më parë. Ardhja e tragetit të kësaj kompanië që operon në linjën Vlorë – Brindisi, në port mëngjesin e sotëm dhe mungesa e sinjalizimit të kapitenerisë për ankorim ka bërë që trageti të qëndrojë disa orë larg portit. 

Gjithcka vjen si pasojë e orareve të dy kompanive “Red Star” dhe “Horizont” për ankorimin në port. Përfaqësues të kompanisë Red Star shprehen se trageti nuk është lejuar të hyjë në port dhe sipas tyre kapiteneria ka favorizuar kompaninë tjetër të linjës Vlorë - Brindizi. Kjo kompani po ashtu deklaron se porti e ndryshon grafikun e orareve në mënyre abuzive, pasi biletet për pasagjerët janë shitur prej disa kohësh. 

Kapiteneria e Portit shprehet se ajo ka hartuar një grafik, ku sipas tij, kompania “Red Star” nuk ka pasur orar për ankorim për ditën e sotme, por kompania konkurente “Horizont”. Për këtë është njoftuar zyrtarisht dhe sipas përfaqësuesve të portit, kompania “Red Star” ka thyer rregulloren e portit. 

E ndërsa cështja nuk po merret nën kontroll nga Porti i Vlorës, pasagjerët janë ata që vuajnë pasojat. Megjithatë pavarësisht situatës së krijuar, porti i Vlorës ka vendosur të ankorojë tragetin e mbërritur, për shkak të pasagjerëve që ndodheshin në bord.
tragete vlore

Për situatën e krijuar ka reaguar edhe drejtori i Portit të Vlorë, Xhevair Celoaliaj i cili shprehet se nuk kemi penguar asnjë traget për tu ankoruar. Ai sqaron se të gjithë janë proceduar sipas rregullave ku parashikohet se ankorimi zyrtar fillon në orën 08:00. Celoaliaj sqaron se porti nuk është bërë palë me asnjë kompani, por do të lejohet konkurrenca e ndershme dhe barazia, shmangia e monopolizimit. Sipas drejtorit prezenca e operatorit të ri në linjën Vlorë –Brindizi ka ulur vlerën e biletës gati 50%.
 
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)